Rusia pushton qytetin e parë ukrainas

Ushtria ruse ka pushtuar të gjithë rajonin e qytetit jugor Kerson në Ukrainë.

Lajmin e ka bërë me dije Ministria ruse e Mbrojtjes, të cilin nuk e ka kundërshtuar as pala ukrainase.

Në vend kanë nisur të ndahen ndihmat humanitare për qytetarët të cilët vijnë nga Rusia.

Ofensiva ruse vijon edhe në qytete të tjera të mëdha, përfshirë kryeqytetin e Kievit, dhe qytetet Mariupoll, Kharkiv dhe Çernhiv.

Të hënën, zëdhënësi i presidentit Vladimir Putin, Dmitri Peskov tha se Moska nuk e përjashton idenë e marrjes nën kontroll të qyteteve të mëdha për çështje sigurie, pasi sipas tij, Ukraina po përdor civilët si mburojë duke vendosur artileri pranë qendrave të banuara.

Presidenti i vendit, Volodymyr Zelensky përmes një video-mesazhi u ka bërë edhe njëherë thirrje ushtarëve rusë që të dorëzohen.

Ai premton se nëse ata tërhiqen do të trajtohen në mënyrë njerëzore.

Zelenski: “Në emër të popullit ukrainas, unë dua t’ju jap një shans. Nëse dorëzoheni para forcave tona, ne do t'ju trajtojmë ashtu siç trajtohen njerëzit, si njerëz me dinjitet”.

Në fjalimin e tij, kreu i shtetit tha se Rusia ka humbur tashmë 90 avionë luftarakë dhe se trupat ruse nuk e prisnin një rezistencë të tillë.

Kjo nuk është hera e parë që Ukraina u ka bërë thirrje ukrainasve që të tërhiqen.

Dy javë më parë, ministri i Mbrojtjes Oleksi Reznikov u ofroi ushtarëve rusë para dhe amnisti nëse ata do të dorëzoheshin.

Ndërkohë gjatë orëve të para të së martës shpërthimet kanë vijuar në Kiev edhe në ditën e 20 të luftimeve.
Një ndërtesë banimi raportohet se është qëlluar dhe djegur.

Dhe sipas Shërbimit të Emergjencës Shtetërore, zjarri është shuar dhe një person është dërguar në spital.