“Mos i besoni propagandës”, redaktorja e guximshme ndërpret edicionin e lajmeve në Rusi me pankartë kundër luftës

Një incident është regjistruar të hënën gjatë edicionit të lajmeve të mbrëmjes në Channel 1 në Rusi, një televizion që kontrollohetnga shteti.

Redaktorja e lajmeve në këtë televizion, Marina Ovsyannikova, është futur në studio me një pankartë me thirrje kundër luftës në Ukrainë duke ndërprerë kështu edicionin e lajmeve.

Zëri i saj mund të dëgjohej gjatë transmetimit duke thënë “Jo luftës! Ndaloni luftën!”

Ndërsa në pankartë shkruhej “Jo luftë, ndaloni luftën, mos i besoni propagandës, këtu po të gënjejnë”.

Pas këtij veprimi, redaktorja u arrestua. Sipas ligjit të ri rus, ajo përballet me të paktën 15 vjet burg.

Para protestës live në televizion, ajo regjistroi një video në të cilën i quajti ngjarjet në Ukrainë një "krim" dhe tha se i vinte turp të punonte për atë që ajo e quajti propagandë e Kremlinit.

"Më vjen turp që i lejova vetes të them gënjeshtra nga ekrani i televizionit. Më vjen turp që lejova që rusët të shndërrohen në zombi," shpjegoi ajo.

Ajo i bëri thirrje popullit rus të protestojë kundër luftës, duke thënë se vetëm ata mund të "ndalojnë çmendurinë".

Lajmet televizive ruse kontrollohen fort nga Kremlini dhe pasqyrojnë vetëm versionin rus të ngjarjeve në Ukrainë.