Edhe Kosova vendos sanksione ndaj Rusisë. I ndalon qasjen në tregjet financiare, ngrin asetet bankare

Qeveria e Kosovës ka vendosur sanksione në përputhje me ato te Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Këshillit të Bashkimit Evropian ndaj veprimeve që minojnë dhe kërcënojnë integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës.

Në mbledhjen e sotme, ministrja e Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla tha e është e rëndësishme që edhe Kosova t’u bashkohet shteteve demokratike në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.

“MPJD propozon zbatimin e të gjitha sanksioneve ekonomike e financiare të përcaktuara nga Këshilli i Bashkimit Evropian dhe ShBA ndaj Rusisë por edhe ndaj disa individëve nga Bjellorusia”, tha ajo.

Gërvalla tha se sanksionet përfshijnë ngrirje të aseteve të bankave, ndalimi i qasjes në tregje financiare, individët do t’i nënshtrohen ndalimit të udhëtimit dhe transitit në vendet që i zbatojnë këto sanksione.

Ukraina ndodhet në ditën e dytë të pushtimit nga Rusia.