Psikologia Haxhiu: Prindërit nuk i kontrollojnë fëmijët kur përdorin “Tik Tok-un” , kjo sjell pasoja fatale

Pjesa e tretë e emisionit të pasdites “Jeto me orën” në RTV ora i’u kushtua një teme mjaftë të diskutuar kohët e fundit, rrjetit social ‘TikTok’.

Për të folur më shumë rreth ndikimi të kësaj platformë tek fëmijët ishin të ftuar Jonida Haxhiu, psikologe dhe Ladiola Ismollli, kimiste.

Jonida e nisi bisedën në studio, se prindërit nuk kanë informacionin e duhur se çfarë rreziku sjellin rrjetet sociale për fëmijën e tyre.

“Si prind por, edhe si psikologe jam e shqetësuar për të rinjtë, fëmijët. Pasi nuk janë të vetëdijshëm ta përdorin ashtu siç duhet. Për shumicën e prindërve nuk është informacioni i duhur për të kontrolluar fëmijën e tij. Në këtë mënyrë ata vihen në rrezik, ndajnë informacione dhe ndjekin modele që mbase ndikon negativisht tek ata. Po ashtu kemi edhe varësin e tyre ndaj këtij fenomeni, saqë kemi edhe raste fatkeqësisht që humbin jetën”, u shpreh Haxhiu.

Më tej ajo tha se ky rrjet social është kthyer në një trend për të rinjtë. 

“Për të rinjtë ky rrjet social është kthyer në një trend. Ata shohin njëri-tjetrin dhe duke ecur me atë idenë që mos të mbetem mbrapa por, të ndjek shokun apo shoqen, ata dashje pa dashje bëhen pjesë e kësaj gjëje”, tha më tej ajo.

Ndërsa, Ismolli tha se ndonjëherë janë vetë fajtorë prindërit, pasi në shumicën e rasteve ata regjistrojnë video fëmijëve të tyre dhe i bëjnë pjesë të rrjeteve sociale.

“Në fakt unë mendoj se në shumicën e rasteve janë fajtorë vetë prindërit, pasi këta të fundit bëjnë shumë video dhe foto fëmijëve të tyre dhe u hapin rrjete sociale. Ekspozimi i këtyre materialeve në rrjetet sociale, ata i bën të ndikohen dhe të mësohen me këtë gjë”, tha Ismolli.

Më tej ajo, gjithashtu u shpreh se “për të mbajtur sa më larg fëmijët nga rrjetet sociale, duhet të angazhohen në sa më shumë aktivitete”.

 ‘TikTok’, tashmë është fenomeni social që ka rrëmbyer vëmendjen e të gjitha grupmoshave përfshirë këtu të miturit dhe  të rinjtë. Por të shumta kanë qenë rastet në botë madje dhe në vendin tonë ku shumë kanë humbur jetën duke rënë pre e një sërë lojërash sfiduse e filmash që vetëm argëtim nuk mund të quhen. Balena Blu dhe Squid Game janë ndër më famëkeqet që kanë shkaktuar edhe viktima.

Kujtojmë disa raste të bujshme si rasti i një 13 vjeçari nga fshati Golem i qytetit të Lushnjes, i cili u vetëvar për shkak të varësisë që kishte krijuar nga rrjeti social TikTok.

Videot virale të TikTok-ut janë bërë shkak për humbjen e jetës se të miturve jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Itali ku një 10 vjeçare u vetëvra. Nuk mund të anashkalojmë këtu që shumë adoleshentë kanë praktikuar sfidat e ndryshme të filmit të famshëm “Squid Game” duke dëmtuar kështu pjesë të ndryshme të trupit të tyre. 

Për këtë arsye TikTok ka ndërmarrë një fushatë për mbrojtjen e të miturve për të përmirësuar kështu sigurinë e tyre gjatë përdorimit të këtij aplikacioni.

Kjo gjë u bë e ditur me 23 shkurt në Bruksel nga Alexandra Evans, përgjegjëse për politikat e sigurisë publike në Evropë për TikTok-un. Puna e TikTok-ut është e ndarë në faza të ndryshme. Udhezuesit e këtij aplikacioni do të inkurajojnë njerëzit të mësojnë rreth përballjes me raportimin e këtyre mesazheve me konotacion negariv duke shpërndarë mesazhe të ndryshme sensibilizuese.

Në javët në vijim TikTok-u ka paralajmëruar se grupmoshat nën 18 vjeç do të shohin video nga fushata “Safer Together” nga 3 influencues ku mes tyre do të jetë edhe Fabiana Andreani, specialiste e karrierës dhe orientimit për të rinjtë nën 35 vjeç. Vlen për tu përmendur dhe fakti që TikTok-u do të financojë universitetin e Sidneyt perëndimor dhe qendrën e tij të të rinjve për të mbështetur kërkime të mëtejshme mbi sigurinë në internet.

Që të dyja të ftuarat në fund të programit bënë thirrje ndaj prindërve, që të informohen më shumë për përdorimin e rrjeteve sociale, dhe të kontrollojnë fëmijët e tyre.