Ekspertja Gladiola Dona: E gabuar vëmendja e tepërt tek vipat në ambientet e shërbimit

Ditën e sotme në emisionin e pasdites “Jeto me orën” në RTV ora ishte e ftuar, Gladiola Dona eksperte në fushën e shërbimit, menaxhim Hoteleri, dhe një personazh që në fushën e sipërmarrjes është tepër aktiv. 

Gladiola u shpreh se në vendin tonë kemi shumë hotele, biznese të mrekullueshme, por sipas saj duhet të kemi të trajnuar shumë mirë menaxherët e këtyre bizneseve, gjë e cila mungon. Ajo rrëfeu edhe rrugëtimin e saj nga hotelori-turizëm në trajnim të menaxherëve.

“Gjatë pushimeve të verës fillova të punoja si kamariere.

Më pas fillova studimet në Austri, dhe gjatë kohës që studioja edhe punoja. Turizmin atje e kanë shumë të rëndësishëm, kanë një mënyrë të veçantë të të shërbyerit, gjë të cilën mundohet ta aplikoj në trajnimet e mija. Kur u ktheva mendova se do bëja shumë në hotelori turizëm, por normalisht që ishte vështirë të bëja shumë në atë kohë kur erdha.

Nuk bëra hotelori-turizëm, por u mora me marketin dhe menaxhim, etj. Më vonë kemi katër vite tashmë ku trajnojmë menaxherët ekzekutiv, pasi mendoj se nëse kemi këto të trajnuar mund ta mbajnë stafin ashtu si duhet dhe në funksion. Ne kemi shumë gjëra, por kemi mungesë të trajtimit të menaxherëve dhe stafit”, u shpreh Dona. 

Më tej ajo tha se të gjithë klientët meritojnë të njëjtin shpjegim dhe respekt.

“Kur vjen ndonjë personazh i njohur të gjithë stafi përqendrohen tek ai, por harrojnë se çdo klientë meriton vëmendje dhe shërbim. Ky është një ndër gabimet më të mëdha, që kamarierët, stafi është i patrajnuar. Nga njëherë na rritet kostoja se marrim kamarierw të rinj, por edhe zhurma që krijohet në ambient ka ato disavantazhet e veta”, u shpreh ajo. 

Së fundmi ajo u ndal në një tjetër këshillë shumë të vlefshme për të gjithë ata të cilët punojnë në shërbim, kamarierët.

“Buzëqesh në sy të klientëve dhe atëherë keni fituar çdo gjë, sfidë. Por, ka edhe nga ata klientë të cilët janë të vështirë t’u shërbehet”,  u shpreh ajo.

Së fundmi ajo tha se, pagat ndikojnë drejt për drejtë tek të rinjtë që priren drejt emigrimit për vendet jashtë. “E di që dhemb, por mos rritja e pagave, sigurimi I tyre, bën që të rinjtë të largohen dhe mos të jenë motivues dhe të frymëzuar për të punuar në vendin tonë”, përfundoi ajo.