Putin mund të ndajë Bosnjën, mediet serbe: Ushtria ruse do bashkojë Republika Srpska me Beogradin

Sipas titujve të gazetave serbe të së martës, vendimi i Putin për aneksimin e dy rajoneve të Ukrainës do të sjellë së shpejti edhe bashkimin e Republikës Srpska në Bosnjë Hercegovinë  me Serbinë.

Vendimi i Putin për të njohur rajonet separatiste në Ukrainë solli reagim të ashpër nga ndërkombëtarët, por jo nga gazetat serbe, të cilët fajësuan Ukrainën për sulmin e Rusisë.

Gazeta serbe Telegraf shkroi në faqen e parë të së martës se presidenti Putin do të vijë edhe në Ballkan.

Në titull shkruhet se ‘Putin po dërgon ushtrinë për të bashkuar Serbinë me Republika Srpskan e Bosnje Hercegovinës.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç të hënën deklaroi se Serbia nuk është në një situatë të lehtë dhe se kriza mund të reflektohet edhe në Ballkanin Perëndimor.

Ai gjithashtu urdhëroi ushtrinë në cilësinë e Komandantit të Përgjithshëm që të jetë e përgatitur në mënyrën më të mirë të mundshme për të mbrojtur vendin.

Prej kohësh Bashkimi Evropian, por edhe SHBA-të kanë ngritur alarmin për ndarjen e mundshme të Republika Srpskas nga pjesa tjetër e Bosnje Hercegovinës.

Departamenti i Shtetit dhe Thesari kanë ndërmarrë sanksione ekonomike e politike ndaj anëtarit serb të Bosnjës, Millorad Dodik.