Putin vendos të pushtojë Ukrainën? Çipa: Evropa e rrezikuar nga përshkallëzimi ushtarak, krijon pasiguri

Territoret lindore separatiste të Ukrainës, të mbështetura nga Rusia, kanë urdhëruar mobilizim ushtarak në mes të një përshkallëzimi të luftimeve.

Analisti Akri Çipa në një lidhje të drejtpërdrejtë në RTV Ora me gazetaren Kostana Morava u shpreh se nga përshkallëzimi ushtarak rrezikohet Evropa në pikëpamjen e çështjeve të sigurisë.

Çipa: Presidenti Biden bëri një deklaratë shumë të fortë që sipas inteligjencës së mbledhur nga SHVA të gjithë treguesit tregojnë që zoti Putin ka vendosur për një pushtim të Ukrainës dhe sipas këtyre raportimeve pritet një mësymje e Ukrainës në ditët në vijim. Janë momente tensioni, ka shumë shqetësim për atë që do ndodhë sepse ka shumë të panjohura. Ukraina është një shtet shumë i madh me mbi 40 milionë banorë dhe ka thënë që nëse pushtohet do përgjigjet me të gjitha mjetet e mundshme për tu vetëmbrojtur. Rreziku është shumë i madh nga pikëpamja ushtarake.

Çfarë rrezikon Evropa nëse Rusia do ta pushtojë Ukrainën sipas të dhënave të inteligjencës amerikane?

Çipa: Qoftë nëpërmjet kërcënimeve që ka bërë Rusia, qoftë edhe nëpërmjet një përshkalëlzimi ushtarak objektivi i Moskës është ripërkufizimi i arkitekturës në Evropë duke shpallur deri më sot të pavlefshme një pjesë të madhe garancive mbi të cilat është ndërtuar rendi aktual. Dëshira e Rusisë në këtë rast bie ndesh me interesat e vendeve më të mëdha të Evropës për shkak se  krijon pasiguri të madhe nga pikëpamja e çështjeve të sigurisë, krijon pasiguri në sensin diplomatik por edhe për pikat e përbashkëta të interesit të cilat deri sot kanë pasur mbarëvajtje dhe koordinim.  Ka shumë të panjohura kjo situatë dhe elementin tjetër që vjen pastaj një sërë sanksionesh ndaj Rusisë të paralajmëruar nga SHBA dhe vendet e BE duke krijuar dhe luhatje të mëdha ekonomike në tregjet financiare.

A ka rrezik të krijohet ky konflikt dhe të zbresë në zona të tjera?

Çipa: Moska mban konfliktin të ngrirë në një sërë vendesh duke përfshirë Moldavinë, Gjeorgjinë, Bjellorusinë që është në një situatë delikate. Ka një sërë trupash ushtarake ruse në territorin e Bjellorusisë. Padyshim që nëse ka një agresion ndaj Ukrainës do përfshihet edhe Bjellorusia. Ballkani është një tjetër pikë e brishtë për shkak të konflikteve të mbartura mes disa shteteve dhe për shkak të disa lojtarëve pro-rusë që veprojnë në rajonin tonë dhe janë të gjithë elemente që mund të përdoren nga Rusia.