PD denoncon: Rama po vë në jetë skemën e masakrës zgjedhore edhe për 6 Marsin
PD denoncon Ramën se po vë në jetë të njëjtën skemë të masakrës zgjedhore të 25 prillit edhe për zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit.
“Fonde për rindërtim dhë punësime të përkohshme në këmbim të votës në Durrës dhe Rrogozhinë është skema e vënë sërish në jetë nga Edi Rama. Në datën 2 Shkurt, Partia Demokratike ka denoncuar në KQZ shpërndarjen e paligjshme dhe selektive të fondeve të rindërtimit nga Bashkia Durrës për 526 familje. Përgjigja e Bashkisë Durrës në datën 14 Shkurt konfirmon denoncimin e Partisë Demokratike: 526 familje përfituan fonde nga granti i rindërtimit vetëm 35 ditë përpara datës së zgjedhjeve.
Ndërkohë, në një tjetër rast flagrant të shkeljes së Kodit Zgjedhor, Partia Demokratike ka denoncuar në KQZ punësimin me kontrata 3-mujore të 29 punonjësve nga Bashkia Rrogozhinë. Punësime të kryera në datën 25 janar të këtij viti, vetëm 5 ditë pas dekretimi të zgjedhjeve nga Presidenti i Republikës” denoncoi përfaqësuesi ligjor i PD-së Marash Logu sot në një deklaratë për median.
PD thotë se nuk do të lejojë asnjë manipulim të vullnetit të qytetarëve dhe mbetet e vendosur në përpjekjen për të garantuar fitoren në 6 Mars përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme ndërsa për Ramën përdor shprehjen popullore “Ujku qimen e ndërron por zakonin se harron”