Incineratori i Elbasanit me shkelje për emergjencën mjedisore, u shmangën strukturat qëllimisht
Në seancën e dëshmisë së kryetarit të bashkisë së Elbasanit në Komisionin Hetimor për incineratorët, deputetët zbuluan shkeljen e ligjit sa i përket emergjencës mjedisore.
Në debat me Gledian Llatjan, deputeti Laçiano Boçi ka deklaruar se janë shmangur strukturat qëllimisht, për të krijuar mundësinë e negocimit të drejtpërdrejtë për incineratorin me vlerën rreth 26 milionë euro.
Boçi: Projekti për landfillimin e Paprit ishte investuar nga qarku Elbasan dhe ishte bërë studim fizibiliteti nga kompania italiane, por për emergjencën mjedisore këshilli bashkiak merr vendim e ia jep për miratim komitetit të menaxhimit të integruar të mbetjeve. Vetëm nëse shprehet komiteti atëherë miratohet emergjenca mjedisore. Ndërkohë që në bashkinë e Elbasanit ka mbërritur oferta e pa kërkuar.
Kryebashkiaku i Elbasanit pretendon se në vitin 2007 i ka nisur një shkresë qeverisë së asaj kohe, ku e ka njohur me situatën dhe një vit më pas me vendimin e Këshillit Bashkiak është miratuar shpallja e gjendjes së emergjencës.
Llatja: Ka pasur një sërë korrespodencash për çështjen e plehrave në Elbasan, ka qenë një situatë e përsëritur vit pas viti, derisa është shpallur emergjenca mjedisore në 2014. korrespodenca ka nisur që të vitin 2007, dhe i është kërkuar mbështetje zotit Berisha. ishte i domosdoshëm ndërtimi i një impianti në Bashkinë e Elbasanit. Është një gjë shumë e mirë për Elbasanin. Është një paradoks i madh nga ku ishim dhe ku jemi sot.
Ndërkohë nga ana e anëtarëve të opozitës u ngrit dhe shqetësimi nëse kompania që ka marrë incineratorin e Elbasanit ka krijuar një venddepozitimi për hirin pasi ka përmbajte kancerogjene.
Sipas deputetit të Elbasanit Luçiano Boçi, kompania Albteg Energy ka marrë pagesat për krijimin e një venddepozitimi për hirin, por kontrata nuk është zbatuar dhe kjo mbetje përfundon në landfill.
