Reforma zgjedhore/ PS dhe PD larg në qëndrime, Balla përplaset me Alibeajn

Të ftuar në konferencën kombëtare "shoqëria civile dhe politike: për një dialog dhe pjesëmarrje gjithëpërfshirëse" u përplasen mbi raportin e ohdir për zgjedhjet e fundit, kreu i grupit socialist Taulant Balla dhe ai demokrat, Enkelejd Alibeaj. Kjo përplasje, një ditë para se të marrë rrugë reforma zgjedhore la të kuptohet se ky proces nuk do të jetë i lehtë. Ndërkombëtarët inkurajojnë për dialog.

Të enjten do të marrë rrugë diskutimi për një reforme të re zgjedhore me miratimin e anëtarëve të komisioneve. Por duket se rruga do të jetë e vështirë, për faktin se palët janë larg në qëndrime.

Drejtuesit e grupeve parlamentare të PS dhe PD, Taulant Balla dhe Enkelejd Alibeaj, të ftuar në konferencën kombëtare "shoqëria civile dhe politike: për një dialog dhe pjesëmarrje gjithëpërfshirëse" u përplasën mbi raportin e ohdir për zgjedhjet e fundit.

"Vlerësimi më pozitiv i dhënë ndonjëherë Shqipërinë në këto 2 dekada në rrugëtimin e vet për zgjedhje të lira dhe demokraci funksionale," tha Balla.

Por Alibeaj tha se çdo opozitë në zgjedhje,  përballet me një parti-shtet.

"Mjafton të shihen raportet e OSBE-ohdir dhe jo të lexohen formalisht, por të lexohen substancialisht. Fakti që zgjedhjet në Shqipëri realizohen mes shtetit dhe partive opozitare," tha Alibeaj.

Depolitizimi i administratës, vota e emigranteve por dhe çështje të tjera të rekomanduara nga ohdir tha Balla duhet të trajtohen në reformë. Por Demokrati Alibeaj shkoi me tej duke përmendur këtu edhe sistemin.

"Për më shumë se sa aq duhet të jenë garancinë zgjedhore, për të vendosur barazi mes partive politike në pushtet dhe partive politike në opozitë," tha Alibeaj.

Duke sjellë në vëmendje debatin brenda PD-së Taulant Balla, edhe për ironi, tha se duhet te rishikohet ligji për partitë politike por dhe kompetencat se kush duhet t'i mbajë regjistrat e partive.

"Kemi trashëguar nga viti '90 apo '91 që duhet të shkojmë në Gjykatë, mendoj që KQZ mund të jetë autoriteti adekuat për të mbajtur regjistrin dhe për të shënuar më pas të gjitha ndryshimet që ndodhin, edhe me drejtimin e partive edhe me statutin e partive," tha Alibeaj.

Në tryeze ishte edhe ambasadori i Osbe, ambasadori britanik dhe ai zviceran, të cilët kërkojnë një reformë zgjedhore që reflekton rekomandimet në mënyrë që të jetë e thellë dhe e qëndrueshme.