Protestat kundër masave anti-Covid/ Qindra të gjobitur dhe dhjetëra të arrestuar në Paris

Frymëzuar nga demonstratat e kamionistëve në Kanada, dhjetëra protestues franceze bllokuan  të shtunën me automjetet e tyre qendrën e Parisit.

Ata u grumbulluan rreth Harkut të Triumfit dhe në Champs Elysees, ndërsa policia hodhi gaz lotsjellës ndaj demonstruesve që kundërshtonin kufizimet e pandemisë.

Me makina, autobusë, traktorë ata mësynë në Paris nga shumë qytete të vendit, pavarësisht paralajmërimeve nga autoritetet se u ndalohej hyrja.

Pjesë e protestuesve ishin dhe "Jelekëverdhet".

Policia tha se arrestoi 14 persona, vendosi  qindra gjoba ndërsa më herët gjatë ditës arriti të bllokojë hyrjen e 500 automjeteve në kryeqytet.

Qeveria franceze ka në fuqi masat e pandemisë dhe kërkon certifikatë vaksine për hyrje  në vende publike si kafene, restorante dhe muze, ose test negativ, kufizime këto që kanë rebeluar qytetarët.

Më pak se dy muaj nga zgjedhjet presidenciale, qeveria e Macron synon të mbajë nën kontroll protestat  pasi i druhet një revolte  si ajo e jelekëverdheve në vitin 2018.