Kundërshtimi i masave anticovid, Gjykata e Kanadasë urdhëron t'i jepet fund bllokadës së kamionistëve
Gjykata e Windsor-it në Kanada ka dhënë urdhër që t’i jepet fund protestës së kamionistëve në kalimin kryesor në kufirin me SHBA.
Ky vendim hyri në fuqi menjëherë, pasi u raportuan humbje monetare, deri në 50 milion dollarë në ditë.
Karvani i mjeteve, i pozicionuar në pikat më të rëndësishme tregtare po pengon ecurinë e ekonomisë, kryesisht industrinë e automobilave.
Alarmin mbi këtë humbje të madhe e dha edhe udhëheqësi i Partisë Progresive konservatore të Ontarios, Doug Ford, i cili shpalli edhe gjendjen e jashtëzakonshme për bllokimin e Urës së Ambasadorit.
Ai njoftoi se në rast se urdhri i Gjykatës nuk do të zbatohet, protestuesit do të përballen me gjoba mbi 100,000 $, si edhe do iu hiqen licensat e drejtimit.
Forcat e policisë do të vendosen në të gjitha pikat e hyrjes, përfshirë autostradat, aeroportet, portet, urat dhe hekurudhat, tranzitin publik, rrugët bashkiake dhe provinciale, si dhe rrugët e këmbësorëve, me qëllim që ata t’i binden urdhrit të Gjykatës.
Pavarësisht kësaj, turma që kundërshton masat kufizuese të Covid, e ka shpërfillur urdhrin, duke valëvitur flamuj e vendosur muzikë.
Ata kanë bllokuar lidhjet e rëndësishme tregtare mes Windsorit, Ontarios, Detroitit dhe Miciganit.
Të premten, kryeministri Justin Trudeau bisedoi me presidentin amerikan Joe Biden, dhe i premtoi se shumë shpejt do rinisin shkëmbimet tregtare.
