Lamtumirë maskave! Shtetet Evropiane lehtësojnë masat anticovid, Kina miraton pilulën Pfizer

Disa shtete të Evropës nisin lehtësimin e masave anti-covid. Franca, Italia dhe Norvegjia miratojnë heqjen e kufizime për pandeminë, megjithatë hapi vendimtar pritet të hidhet më 31 mars, kur skadon gjendja e emergjencës dhe pritet të hiqen të gjitha kufizimet e tjera përfshirë, Green Pass. Ndërkaq, Kina miraton përdorimin e ilaçit Pfizer kundër koronavirusit. Vendimi vjen si shkak i nisjes së Lojërave Olimpike Dimërore dhe pas rritjes së rasteve në vend.

Franca zbut më tej masat për frenimin e pandemisë dhe njofton se maskat nuk do të jenë më të detyrueshme në vendet publike.

Megjithatë certifikata shëndetësore do të vijojë të përdoret edhe për pak kohe në ambiente të tilla si kinematë, teatrot, baret dhe restorantet.

Vendimi për maskat hyn në fuqi në 28 shkurt, dhe vjen mes përmirësimit të situatës pandemike në Francë dhe pjesën tjetër të Europës. Zhvillime pozitive në drejtim të rikthimit në normalitet edhe në Itali.

Mes shifrave në rënie të infektimeve dhe hospitalizimeve, nga e premtja vendi i thotë lamtumirën maskave në ambiente të hapur.

Megjithatë hapi vendimtar pritet të hidhet më 31 mars, kur skadon gjendja e emergjencës dhe pritet të hiqen të gjitha kufizimet e tjera përfshirë, Green Pass.

Edhe Norvegjia i është bashkuar atyre pak shteteve që kanë hequr kufizimet për pandeminë covid-19. Qeveria ka bërë të ditur madje edhe shfuqizimin e rregullave të distancimit shoqëror dhe heqjen e maskave.

"Metri po zhduket. Ne po heqim rekomandimin për distancimin shoqëror," u tha gazetarëve Kryeministri, Jonas Gahr Store në një konferencë për shtyp.

E ndërsa në Evropë vijon lehtësimi i masave anti-covid, Kina i ka dhënë dritën jeshile përdorimit të ilaçit Pfizer kundër koronavirusit. Ky vendim është marrë për shkak të nisjes së Lojërave Olimpike Dimërore dhe pas rritjes së rasteve në vend.

Megjithatë, autoritetet kineze nuk kanë miratuar asnjë vaksinë të huaj kundër COVID-19 deri më tani. Paxlovid u miratua në fund të dhjetorit në Shtetet e Bashkuara dhe që atëherë është miratuar në rreth 40 vende.

Pfizer shpreson të prodhojë 120 milionë doza deri në vitin 2022.