Norvegjia heq kufizimet për pandeminë Covid-19

Norvegjia i është bashkuar atyre pak shteteve që kanë hequr kufizimet për pandeminë covid-19.

Qeveria ka bërë të ditur madje edhe shfuqizimin e rregullave të distancimit shoqëror dhe heqjen e maskave.

"Metri po zhduket. Ne po heqim rekomandimin për distancimin shoqëror," u tha gazetarëve kryeministri, Jonas Gahr Store në një konferencë për shtyp.

"Tani ne mund të shoqërohemi si më parë, në jetën e natës, në ngjarje kulturore dhe raste të tjera sociale. Dhe gjatë rrugës për në dhe nga puna me autobusë, trena dhe tragete," shtoi ai.

Nga ana tjetër nëse një person do të rezultojë pozitiv me covid-19 ai do të qëndrojë në izolim vetëm katër ditë dhe pas kësaj nuk do të ketë më nevojë për një test të dytë.

Gahr Store theksoi megjithatë se "pandemia nuk ka mbaruar" dhe këshilloi personat e pavaksinuar dhe ata në grupet e rrezikut që të vazhdojnë të praktikojnë distancimin shoqëror dhe të mbajnë maska ku distancimi nuk është i mundur.

Drejtoresha e agjencisë, Camilla Stoltenberg u tha gazetarëve se numri i shtrimeve në spital ishte rritur me 40 për qind javën e kaluar.

Që nga e premtja, 986,851 raste dhe 1,440 vdekje të lidhura me virusin ishin regjistruar në Norvegji, ku më shumë se 91 për qind e popullsisë ka marrë të paktën dy doza të vaksinës.

FHI vlerëson se tre deri në katër milionë njerëz nga një popullsi prej 5.4 milionë banorësh mund të infektohen deri në këtë verë.