Biden dhe Putin diskutojnë për Ukrainën, telefonata zgjati 1 orë

Presidenti amerikan Joe Biden dhe homologu i tij rus Vladimir Putin patën një bisedë telefonike sot, ku diskutuan situatën alarmante për pretendimet për  luftë në kufirin e Rusisë me Ukrainën.

Biseda telefonike kritike zgjati një orë. Të dy udhëheqësit u përqendruan në çështjen e Ukrainës, me Uashingtonin që paralajmëroi për një pushtim rus në ditët në vijim dhe  Moskën që  u përgjigj se kjo  ishte propagandë e SHBA.

Deri më tani, asnjëra palë nuk ka zbuluar se çfarë kanë diskutuar saktësisht të dy liderët.

Më herët presidenti rus pati një bisedë telefonike me presidentin francez, Emmanuel Macron. Telefonata kritike zgjati 90 minuta. Sipas Elysee, presidenti francez i tha Vladimir Putinit se një "dialog i ndershëm nuk është në përputhje me një përshkallëzim (ushtarak)" në kufirin ukrainas .

Zyra e Macron tha se "të dy shprehën dëshirën për të vazhduar dialogun", por nuk raportuan përparim të qartë.

Kremlini deklaroi se Putin i tha Macronit që pretendimet perëndimore për një pushtim të planifikuar rus ishin "spekulime provokuese" dhe mund të nxisnin një konflikt në Ukrainë.

Rusia të shtunën shtoi tonin ogurzi duke tërhequr disa persona nga stafi i saj diplomatik nga Ukraina.

Ministria e Jashtme në Moskë tha se vendimi i saj ishte nxitur nga frika e "provokimeve të mundshme nga regjimi i Kievit".

Por Uashingtoni dhe një mori vendesh evropiane përmendën kërcënimin në rritje të një pushtimi rus pasi u bënë thirrje qytetarëve të tyre që të largohen nga Ukraina sa më shpejt të jetë e mundur.