Blinken telefon homologun rus: Çdo agresion rus në Ukrainë do të marrë përgjigje masive transatlantike

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken zhvilloi një bisedë telefonike me homologun e tij rus, Sergey Lavrov,  mes shqetësimeve në rritje për një pushtim të afër të Ukrainës nga Rusia.

Në një postim në twitter, Blinken shkruan se ka folur sot me ministrin e Jashtëm Lavrov për të kërkuar një zgjidhje diplomatike për ngritjen e paprovokuar ushtarake të Rusisë rreth Ukrainës.

Blinken thotë se gjatë bisedës me homologun rus, ka përsëritur se agresioni i mëtejshëm rus do të përballej me një përgjigje të vendosur, masive dhe të bashkuar transatlantike.

Po sot Presidenti amerikan Joe Biden dhe Presidenti rus Vladimir Putin pritet të zhvillojnë një bisedë telefonike për këtë çështje.

Uashingtoni thotë se ka marrë njoftime nga agjencitë e zbulimit se pushtimi mund të ndodhë të mërkurën.

Ambasada amerikane në Kiev ka nisur evakuimin e personelit të saj. Krahas kësaj, Departamenti i Shtetit ka lëshuar udhëzime mbi udhëtimet, duke paralajmëruar amerikanët të mos shkojnë në Ukrainë, për shkak të kërcënimeve të shtuara ndërsa ka këshilluar shtetasit amerikanë që ndodhen në këtë vend të largohen menjëherë.

Disa diplomatë amerikanë pritet të zhvendosen në pjesën perëndimore të Ukrainës, një masë që do t'i lejonte SHBA-ve të ruanin një prani diplomatike në këtë vend.

Përpara se dy udhëheqësit të bisedojnë të shtunën, zoti Putin do të bisedojë me Presidentin francez Emmanuel Macron, me të cilin u takua në fillim të kësaj jave.