Kosova nuk tërhiqet nga Xhafer Deva, Ministri i Kulturës: Sulmet ndaj Devës, të fabrikuara nga Serbia

Edhe pas thirrjeve nga ndërkombëtarët për mos restaurimin e shtëpisë së ish-ministrit të Brendshëm Xhafer Deva, Ministria e Kulturës së Kosovës është shprehur se projekti do të kryhet dhe se debati është fabrikuar nga Serbia.

Ministri i Kulturës së Kosovës, Hajrulla Çeku ka insistuar se shtëpia e Xhafer Devës do të restaurohet.

Gjatë një konference për mediet ministri Çeku shpjegoi rolin e shqiptarëve gjatë Luftës së Dytë Botërore për keqkuptimet që kanë lindur së fundmi, pasi disa ndërkombëtarë e quajtën Xhafer Devën bashkëpunëtorë të nazistëve.

“Ne kuptojmë shqetësimet e partnerëve ndërkombëtarë. Të gjithëve u kemi dhënë sqarime shteruese për të ecur përpara me këtë projekt. Punën e nisur bashkë duhet ta vazhdojmë tutje. Nga këtu i ftoj për reflektim”.

Ministri Çeku shkon edhe më tej, duke akuzuar Serbinë për përhapjen e retorikës fyese kundër Xhafer Devës, duke e quajtur nazist. 

“Populli shqiptar ka vënë dëshmi të panumërta historike të angazhimit anti-fashist dhe të mbrojtjes së popullatës hebrenj. Debati i ditëve te fundit ka origjinën në Serbi. Ky është një narracion gënjeshtër qe vjen nga Serbia sepse faktet janë kokëforta. Faktet aktuale e përgënjeshtrojnë këtë version absurd”, tha ministri Çeku.

Çeku sqaroi se po restaurohej shtëpia e ish-ministrit dhe nuk po rehabilitohej figura e tij.

Kreu i Ministrisë së Kulturës u shpreh se shtëpia mbart vlera të mëdha historike e arkitekturore që tregon fillimin e implementimit të kulturës moderne në Kosovë.

Ai tha ndër të tjera Ministria ka para të mjaftueshme për të restauruar shtëpinë, kostoja e së cilës mund të shkojë afro 300 mijë euro.

Restaurimi i shtëpisë së ish-ministrit të Brendshëm të Shqipërisë Xhafer Deva në Mitrovicë ka shkaktuar jo pak debate në Kosovë.

Ambasadori gjerman në Prishtinë dhe zyrtarë të tjerë të Bashkimit Evropian janë shprehur kundër këtij projekti për shkak të lidhjeve të pretenduara të Xhafer Devës me nazistët.