Thirrja Komisionit Evropian për Malin e Zi: Formoni qeverinë e re pa vonesa
Një ditë pas rrëzimit të qeverisë së Zdravko Krivokapiç nga deputetët e Malit të Zi, Komisioni Evropian i ka bërë thirrje aktorëve politikë në vend që të formojnë një qeveri të re pa vendosa të panevojshme.
Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero i tha radiotelevizionit publik malazez se politikanët duhet të fokusohen te perspektiva evropiane e vendit.
Formimi i një qeverie të re është përgjegjësi e aktorëve politikë në Mal të Zi. Ne besojmë se kjo do të ndodhë pa vonesa të panevojshme. Bashkimi Evropian pret që çdo qeveri në Mal të Zi t'i përgjigjet pritshmërive të qytetarëve për të bërë përparim në procesin e integrimit evropian të vendit.
Qeveria e Krivokapiç u rrëzua mbrëmjen e së premtes, pas një votimi në mocionin e mosbesimit e thirrur nga lëvizja qytetare URA e zv/kryeministrit në detyrë, Dritan Abazoviç.
Shqiptaro-malazezi pritet të negociojë me aktorët politikë në vend për të krijuar një qeveri pakicash pa partinë pro-serbe Fronti Demokratik dhe pa partinë më të madhe në vend, atë të presidentit Millo Gjukanoviç Partia Demokratike e Socialistëve.
Formimi i një qeverie të re pa DPS-në e Gjukanoviç do të ishte i pa mundur pasi kjo forcë politike ka 30 deputetë nga 81 që ka gjithsej Kuvendi.
DPS ka shprehur gatishmërinë për të hyrë në negociata me Abazoviç për të formuar një qeveri të re, por vetëm nëse Demokratët e Socialistëve do të jenë pjesë e kabinetit.
Nëse negociatat dështojnë, nuk përjashtohet edhe mundësia për të mbajtur zgjedhje të parakohshme parlamentare, fakt i cili nuk është mohuar as nga vetë Abazoviç.
