Arrestohet i katërti për vrasjen e trefishtë në Gllogjan
Policia e Kosovës ka njoftuar se është arrestuar një person i katërt, si autor i dyshuar për vrasjen e trefishtë në Gllogjan të Deçanit, ngjarje e cila tronditi vendin.
Shtetasi i arrestuar, emri i të cilit nuk bëhet i ditur dyshohet se ishte i përfshirë në sulmin me kallashnikov ndaj autobusit të studentëve, ku mbetën të vrarë dy prej tyre dhe shoferi.
Policia njofton se autori i dyshuar është dërguar në ambientet e paraburgimit me urdhër të prokurorit të çështjes.
Më 11 dhjetor janë arrestuar edhe tre persona të tjerë lidhur me ngjarjen makabre, të cilët po ashtu dyshohen se janë të përshirë në sulmin me armë ndaj autobusit.
Mbrëmjen e 26 nëntorit 2021 në Gllogjan, rreth orës 19:00 një autobus i cili po udhëtonte nga Gjakova në drejtim të Deçanit u sulmua me kallashnikov nga disa persona, duke lënë tre të vrarë.
Ngjarja e rëndë u pa edhe si një sulm i ngjashëm me ato terroriste, pretendim i cili u hodh poshtë nga policia kosovare.
