Kosovë, qëllohet me armë drejt autobusit me nxënës, 3 të vrarë, mes tyre dy nxënës. Një i plagosur
Tre persona, mes tyre dy nxënës, kanë vdekur nga një sulm me armë zjarri në drejtim të një autobusi në afërsi të fshatit Gllogjan të Komunës së Deçanit, rreth 100 kilometra larg Prishtinës.
Ndërkohë një person ka mbetur i plagosur.
Shoferi ka vdekur në vend të ngjarjes, ndërsa dy nxënësit kanë ndërruar jetë në spitalin e Gjakovës.
Ne autobusin që lëvizte nga Gjakova në Deçan kanë qenë tetë persona, por një numër i nxënësve kanë ndaluar në fshatra të tjera. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 26 nentorit 2021.
LIVE
23:08 Policia: Nuk ka arsye për të besuar se ngjarja në Deçan është akt terrorist
Zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës në rajonin e Pejës, Veton Elshani, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se policia, tash për tash, nuk ka arsye për të besuar se ngjarja në Deçan është akt terrorist.
Sipas tij, policia ka arsye për të besuar se "sulmin e ka kryer një person i vetëm".
Zëdhënësi i Spitalit Rajonal të Pejës, Naim Sahiti, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se një person i plagosur ndodhet në këtë spital dhe se gjendja e tij është stabile.

23:04 Rama: Jetët e marra në Kosovë nga plumbat e një egërsie që meriton ndëshkimin ekstrem të drejtësisë
Kryeministri Edi Rama reagon lidhur me sulmin ne Kosove, ku mbetën të vrarë 3 persona ndërsa një u plagos.
"Jetët e marra në Kosovë nga plumbat e një egërsie që meriton ndëshkimin ekstrem të drejtësisë, na kanë brengosur të gjithëve. Ngushëllime vëllazërore familjeve të goditura në zemër nga humbja absurde. Kurajo e mbështetje institucioneve të Kosovës në këtë moment sfidues."
23:04 Sulmi në Deçan, në autobus ishin 8 persona, dyshohet se ndaj tij qëlloi një person i vetëm
Zëvendësdrejtori i Policisë Rajonale të Pejës, Veton Elshani, ka deklaruar se dyshimet e para bazuar në hetime, tregojnë se sulmuesi i autobusit mund të ketë qenë i vetëm, në kryerjen e veprës së rëndë në Gllogjan të Deçanit sonte, ku vdiqën tre persona, shoferi dhe dy nxënës.
Numri dy i Policisë Rajonale të Pejës përjashtoi mundësinë e ndonjë akti terrorist, ndërsa shtoi se kanë angazhuar të gjitha njësitet elite policore të rajonit e shumë shpejt pritet t’iu bashkohen edhe ato nga Prishtina, të udhëhequra nga Drejtori i Përgjithshëm.
23:01 Kurti: U tronditëm nga ngjarja në Deçan, ngushëllime familjarëve, policia e mobilizuar për hetim
Ka reaguar edhe kryeministri Albin Kurti lidhur me ngjarjen e rëndë me 3 të vdekur në Deçan mbrëmjen e sotme.
Kurti shkruan në Facebook se lajmi ishte tronditës duke u shprehur ngushëllime familjarëve në emër të qeverisë së Kosovës.
Ai shton se policia është mobilizuar me kapacitetet e saj të plota për ta hetuar këtë krim të rëndë, e për të mundësuar drejtësi
22:55 Autoritet në Kosovë kërkojnë ndihmë për identifikimin e autorëve të krimit në Deçan
Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, bën thirrje që kushdo që ka ndonjë informacion për këtë rast të bashkëpunojë me Prokurorinë dhe Policinë, në mënyrë që kryerësi e këtij krimi të kapet dhe të dalë sa më shpejtë para drejtësisë.
Konkretisht zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, njofton se Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë, së bashku me Zëvendës-kryeprokurorin e kësaj prokurorie dhe prokuroren kujdestare të Departamentit të Krimeve të Rënda, janë duke bashkërenduar mes tyre për zbardhjen sa më parë të ngjarjes.
22:22 Policia: Tre te vdekur nje i plagosur. Ne autobus ishin 8 persona
Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Pejës, Fadil Gashi, tha se 3 persona kane vdekur ndërsa 1 person është plagosur.
"Tetë persona kanë qenë, do të thotë autobusi ka qarkulluar nga Gjakova në Deçan dhe në fshatin Glloxhan, mirëpo një numër i nxënësve kanë ndaluar në fshatra të tjera" tha Gashi per Klan Kosova.
Në vend të ngjarjes ka mbetur i vdekur një person, kurse tre të tjerë janë dërguar në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Pejë, ku kanë vdekur më pas dy nga ta.
Policia ka ngritur pika kontrolli për të zbuluar autorët.
21:54 Vrasjet në Deçan, Konjufca: Organet e rendit të zbulojnë sa më parë autorët e këtij krimi të rëndë
Ka reaguar edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ngjarjes së rëndë në Deçan ku janë konfirmuar tre të vrarë, dy nxënës dhe shoferi i autobusit.
Konjufca u bëri thirrje organeve të drejtësisë që sa më parë t’i zbulojnë autorët e këtij krimi, duke thënë se orët janë të gjata.
Ora 21:30 Çitaku: Ngjarja në Deçan akt terrorist, Organet e rendit duhet ta zbardhin sulmin urgjentisht!
Vlora Çitaku, nënkryetarja e PDK-së, ka reguar për ngjarjen e rëndë të ndodhur në Gllogjen ku mbetën të vrarë 3 persona dhe 2 të tjerëve u plagosën.
Çitaku e ka cilësuar si një akt terrorist një gjë të tillë dhe ka thënë se organet e rendit duhet urgjentisht të angazhohen e të zbardhi këtë sulm.
21: 15 Njëri nga 3 viktimat, ky është shoferi i autobusit që mbeti i vdekur nga sulmi me armë në Gllogjen
Mbrëmjen e sotme rreth orës 19:00 në Gllogjan të Deçanit ka pasur të shtëna me armë zjarri ndaj një autobusi me nxënës.
Si pasojë e këtij sulmi kanë mbetur të vrarë tre persona dhe janë plagosur 2 të tjerë.
21:06 Vrasja e 3-fishtë në Gllogjan, Haradinaj: Sulmi kriminal, organet e rendit të zbulojnë autorin!
Pas sulmit me armë ku mbetën të vrarë 3 persona dhe dy të tjerë u plagosën në Gllogjan, ka reaguar edhe ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.
Ai shkruan se ky është një sulm kriminal dhe se apelon organet e renit që të zbulojnë dhe t ëkapin sa më parë autorin e ngjarjes.
20:20 Sulmi me armë ndaj autobusit në Kosovë, viktimë shoferi dhe dy nxënës
Ky është autobusi që ra pre e sulmit me armë zjarri mbrëmjen e sotme në Gllogjan të Kosovës.Mësohet se autobusi po transportonte nxënës nga Gjakova për në Deçan kur persona të armatosur kanë qëlluar drejt tij.
Ora 20:44 Sulmi ka ndodhur në orët e mbrëmjes të 26 Nëntorit
Sulmi me armë ndaj autobusit në Kosovë, viktimë shoferi dhe dy nxënës
Sipas informacioneve paraprake flitet se të vdekur kanë mbetur 3 persona, shoferi i autobusit dhe dy fëmijë.
Personat e vdekur gjatë sulmit janë: Gani Gjokaj – shoferi, Ledion Hamzaj dhe Gentiana Mustafaj.
Qellohet me arme autobusi, viktima
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sotme në fshatin Gllogjan të Deçanit para pak minutash.
Deri më tani raportohet se 3 persona kanë mbetur të vdekur, ndërkohë 2 të tjerë kanë plagosur.
Disa persona të maskuar kanë sulmuar një autobus ku kanë qëlluar për vdekje shoferin dhe 2 nxënës.
Sipas policisë së Kosovës, po ashtu janë plagosur dy persona, teksa Policia është duke e hetuar rastin tutje.
“Rreth orës 19:00, Policia është njoftuar se në fshatin Gllogjan ka pasur të shtëna me armë zjarri në drejtim të një autobusi. Me këtë rast, Policia është në dijeni se dy persona kanë pësuar lëndime. Policia është në vend të ngjarjes dhe duke e hetuar rastin” – njofton policia.









