Kokaina e falsifikuar vret 20 persona të varur nga droga, 74 dërgon në spitale
Të paktën 20 persona kanë humbur jetën dhe 74 të tjerë janë shtruar në spitalet në Buenos Aires, si pasojë e helmimit masiv për shkak të përdorimit të kokainës së falsifikuar me një substancë toksike, njoftuan autoritetet argjentinase.
Autoritetet fillimisht thanë se numri i të vdekurve ishte 12 dhe të shtruarit në spital 50, por me kalimin e orëve numri i viktimave u shtua, tha një zëdhënës i qeverisë së Buenos Aires për AFP.
Autoritetet lëshuan një apel urgjent për të varurit nga droga në media dje pasdite: "Ata që kanë blerë drogë në 24 orët e fundit duhet ta hedhin patjetër," tha ministri i sigurisë i provincës, Sergio Burnie.
Autoritetet po përpiqen të "identifikojnë substancën toksike" të përdorur për të falsifikuar kokainën dhe "ta tërheqin atë nga tregu", shtoi ai.
Gjithçka filloi mëngjesin e djeshëm, kur nisën vdekjet dhe gjithnjë e më shumë njerëz shtroheshin në spital me helmim. Disa nga personat e shtruar në spital i thanë stafit mjekësor se kishin përdorur kokainë.
Viktimat, mes tyre disa tridhjetë e dyzet vjeçarë , pësuan sulme në zemër, sipas raporteve mjekësore të cituara nga mediat argjentinase.
Kokaina që ata konsumuan dyshohet se përmbante "disa substanca që sulmojnë sistemin nervor qendror", tha zoti Burnie.

