Marrëveshje amerikano-ruse në horizont, amerikanët gati të flasin, rusët duhet të tërhiqen nga lufta me Ukrainën
Ndërsa tensionet mes Rusisë dhe Ukrainës janë në kulmin e tyre, diplomatët po shfrytëzojnë të gjitha mundësitë për të mënjanuar një luftë. Së fundmi, gazeta spanjollë “El Pais” ka shkruar për dy dokumente që amerikanët i kthejnë përgjigje kërkesave ruse të sigurisë.
Mediet spanjolle kanë publikuar këtë të mërkurë dy dokumente që mendohet se janë përgjigje me shkrim ndaj kërkesave ruse për të ulur tensionet në Ukrainë. Amerikanët mund të jenë të gatshëm të ulen e të flasin për stacionimet e raketave në Evropë nëse Moska tërhiqet nga lufta me Ukrainën, shkruan gazeta spanjolle “El Pais”.
Më herët rusët kanë kërkuar garanci nga NATO se nuk do të anëtarësonte Ukrainën, ku ndër të tjera ishin edhe pikat që kishin të bënin me arkitekturën evropiane të sigurisë.
Dokumenti, sipas medieve spanjolle, thoshte se Uashingtoni do të ishte i gatshëm të diskutonte me partnerët e tij të NATO-s "një mekanizëm transparence për të konfirmuar mos-vendosjen e raketave Tomahawk në Rumani dhe Poloni".
Kushti që të ndodhë kjo lëvizje, është që Moska "të ofrojë masa transparence reciproke".
Rusia ka pretenduar në të kaluarën se amerikanët mund të sulmojë me raketa me rreze të mesme veprimi nga këto vende.
Dokumenti shkruan se Uashingtoni do të duhej të konsultohej me aleatët e NATO-s për këtë ofertë, veçanërisht me Rumaninë dhe Poloninë.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov refuzoi të komentojë mbi dokumentet e zbuluara, duke thënë vetëm: "Ne nuk publikuam asgjë".
Edhe ministria e Jashtme e Rusisë gjithashtu refuzoi të konfirmojë ose mohojë se dokumentet ishin autentike.
Më herët, Putini akuzoi amerikanët se po përpiqeshin ta fusnin Rusinë në luftë me Ukrainën. Shefi i Kremlinit tha se tashmë është e qartë se shqetësimet themelore ruse u injoruan.
"Le të imagjinojmë se Ukraina është një anëtare e NATO-s dhe fillon këto operacione ushtarake për rimarrjen e Krimesë. A duhet të shkojmë në luftë me bllokun e NATO-s? A e ka menduar dikush këtë? Me sa duket jo," tha ai.
Rusia ka grumbulluar më shumë se 100,000 trupa në kufirin ukrainas dhe vendet perëndimore thonë se Putini mund të jetë duke planifikuar të pushtojë fqinjin.
