Kliçko: Rusët i presim me armë, gati të luftojmë për të mbrojtur të ardhmen

Ish-kampioni i boksit dhe kryebashkiaku i Kievit, Vitali Kliçko, njësoj si në ring ka deklaruar se në rast se Rusia pushton vendin, ai do të përballet me rusët për mbrojtjen e Ukrainës.

Ish-boksieri me famë botërore, njëherazi kryebashkiak i Kievit, Vitali Kliçko është shprehur se kryeqyteti po mobilizohet për t’u mbrojtur ndaj një sulmi të mundshëm nga Rusia.

Ish-kampioni i peshave të rënda thotë se ukrainasit nuk janë njerëz agresivë, por do të bëjnë gjithçka për të mbrojtur kombin.

“Ne jemi komb i qetë dhe miqësor, ne nuk jemi kurrë agresivë ndaj ndonjë shteti, por nëse dikush do të sulmojë Ukrainën, ne do të mbrojmë të ardhmen, shtëpitë tona, familjet tona, qytetet tona. Dhe ne duhet të përgatitemi për këtë. Ne jemi gati të luftojmë.”

Kliçko dhe vëllai i tij Vladimiri vizituan një qendër rekrutimi vullnetarësh, të cilët janë gati të marrin armët në rast pushtimi.

Sportisti u shpreh se roli i vullnetarëve të Kievit do të jetë mbrojtja e shërbimeve jetike.

“Mbrojtja e territorit përfshin mbrojtjen e infrastrukturës. Objektivi ynë kryesor është ruajtja e shërbimeve thelbësore si energjia elektrike, furnizimi me ujë, furnizimi me ngrohje, detyra jonë është të mbrojmë këto objekte në mënyrë që shërbimet në Kiev të mos ndërpriten.”

Tensionet mes Rusisë dhe Ukrainës janë rritur pasi Moska ka grumbulluar rreth 100 mijë trupa në kufirin e shtetit properëndimor.

Kliçko si një sportist, e quajti kërcënimin rus një sfidë, me të cilën ai ka zgjedhur të përballet.

“Ka dy mënyra, mund t’ia mbathësh, ose të përballesh me sfidat. Kështu që zgjedhja ime është përballje me sfidën dhe mbrojtja e vajzës sime, familjes, të afërmve dhe miqve të mi.”