SHBA konfirmon shkëmbimin e territoreve, Eskobar viziton Prishtinën dhe Beogradin javën e ardhshme

Diplomati amerikan, Gabriel Escobar, ka dhënë një intervistë për mediet kosovare ku ka folur për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit dhe për vizitën e tij në Kosovë javën e ardhshme, si edhe shkëmbimin e territoreve. 

Escobar nuk e përjashtoi që ideja e shkëmbimit të territoreve nuk është e vërtetë, por ai shtoi se SHBA nuk do t’i impononte Kosovës dhe Serbisë asgjë që nuk ka pëlqimin e popujve të tyre.

Escobar: Çdo marrëveshje përfundimtare dhe elementet e saj duhet të jenë të pranueshme nga populli i Kosovës dhe nga ai serb. SHBA kurrë nuk ua kanë dhe kurrë nuk do t’ua imponojnë kushtet dhe parametrat as Kosovës e as Serbisë. Të dyja, Kosova dhe Serbia, janë shtete sovrane.

Më tej, Escobar foli edhe për dialogun Kosovë-Serbi duke shtuar se palët duhet t’i japin prioritet ndërmjetësimit të Bashkimit Evropian.

Escobar: Më 2 shkurt do të udhëtoj për në Beograd e Prishtinë dhe udhëheqësve në të dy kryeqytetet do t’u përcjell të njëjtën porosi, mënyra me e mirë që liderët e dy vendeve të përmbushin premtimet para qytetarëve të tyre është duke i dhënë prioritet dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

Zv/ndihmës sekretari i Shtetit dhe i dërguari i Posaçëm i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Eskobar u bëri thirrje të dyja vendeve që të respektojnë marrëveshjet e nënshkruara deri tani.

Escobar: U bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të zbatojnë plotësisht marrëveshjet dhe zotimet e dhëna në Bruksel. Një gjë e tillë kërkon fleksibilitet, kreativitet dhe në disa raste, kompromis.

Diplomati i lartë amerikan foli edhe për asociacionin e komunave me shumicë serbe, ku tha se i përket vetëm qeverisë së Kosovës të vendosë lidhur me këtë çështje.