“Paketohet” Saimir Gjepali, anëtari i grupit të Avdylajve do të ekstradohet në Itali
Dy vite pasi drejtësia shqiptare e la të lirë, Saimir Gjepali, anëtar i grupit të Avdylajve të Shijakut, është vënë në pranga sërish. Këtë herë 48-vjeçari do të ekstradohet drejt Italisë ku është dënuar me 24 vite burg.
Saimir Gjepali, i njohur si anëtar i bandës së Avdylajve, është arrestuar si person në kërkim ndërkombëtar dy vite pasi u la i lirë nga drejtësia shqiptare.
48-vjeçari, banues në Shijak, sipas policisë së Durrësit këtë herë është vënë në pranga me qëllim ekstradimi drejt Italisë.
Gjykata e Milanos në vendin fqinj e ka dënuar atë me 24 vjet e 2 muaj burg për veprat penale “Pjesëmarrja në organizatë kriminale” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”.
Saimir Gjepali, ishte mes të arrestuarve të operacionit të bujshëm "Volvo 4" në vitin 2008, kur u tha se u goditën katër grupe kriminale të lidhura me laboratorin e kokainës në Has.
Gjatë dy viteve të qëndrimit në paraburgim, ai dhe anëtarë të tjerë të grupit dhunuan një gardian të burgut 313 ku mbaheshin.
Grupi i ashtuquajtur i Avdylajve të Shijakut kishin dalë në përgjimet për shitje-blerje votash e njohur si dosja mban numrin "339".
Por në qershor të vitit 2020, Gjykata e Durrësit e nxori Gjepalin nga qelia bashkë me disa të dyshuar të tjerë për tejkalim të afateve të hetimit.
Për veprimtarinë në Itali dhe dënimin për trafik droge, Saimir Gjepali ka qenë edhe objekt i operacionit Forca e Ligjit, ku vetëm pak ditë pasi drejtësia e la të lirë, i kërkoi justifikim të pasurisë.
Pas spektaklit me drejtësinë shqiptare, tashmë 48-vjeçari nga Shijaku do tu dorëzohet autoriteteve italiane.

