Plagosje e dyfishtë në Berat, dy persona godasin njëri-tjetrin me thikë

Një plagosje me thika e mjete të mprehta është regjistruar sot në qytetin e Beratit.Ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:15 minuta në lagjen "Kushtrim" në qytetin e Beratit.

Mësohet se dy shtetas janë konfliktuar me njëri-tjetrin në rrugë.Pas konfliktit të fortë verbal mes tyre, të dy shtetasit kanë nxjerrë thikat dhe kanë goditur disa herë njëri-tjetrin.

Të dy të plagosurit, Artur Gjata 45-vjeç dhe Ervis Kanani 37-vjeç, janë transportuar drejt Spitalit Rajonal të Beratit me plagë të shumta në trup.

Ervis Kanani ndodhet në gjendje të rëndë. Ai i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale.

I plagosuri tjetër Artur Gjata ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe tashmë është nën mbikqyrjen e policisë në dhomën 10 të Repartit të Kirurgjisë në Spitalin Rajonal të Beratit.

"Sot, rreth orës 12:15, janë paraqitur për mjekim në Spitalin Rajonal Berat shtetasit A.Gj., 45 vjeç dhe E.K., 37 vjeç, të cilët dyshohet se gjatë një konflikti me njëri-tjetrin janë goditur me mjet prerës (thikë). Të dy shtetasit ndodhen në Spitalin Rajonal Berat, ku po marrin ndihmë mjekësore".

Ende nuk dihen shkaqet dhe rrethanat e plagosjes së këtyre dy shtetasve, që sipas burimeve në vendngjarje, jetojnë në të njëjtën lagje dhe nuk kanë pasur konflikte të mëparshme mes tyre.

Në vendngjarje kanë shkuar forca të shumta policie si dhe grupi hetimor, që po punon për zbardhjen e plagosjes së dyfishtë.