Armën e kishte në shtëpi prej një viti, adoleshenti e planifikoi vrasjen e fqinjit për gjakmarrje

17-vjeçari, Florian Përvathi, që vrau për gjakmarrje fqinjin në Manati të Lezhës ka deklaruar se ngjarjen e kishte planifikuar prej kohësh. Para hetuesve ai ka thënë se pistoletën me mulli me të cilën kreu krimin e kishte prej gati një viti.

Hakmarrja për vrasjen e të atit duket se ishte kthyer në qëllim për 17- vjeçarin Florian Përvathi, që vrau 65-vjeçarin Lek Lekgjonaj, të hënën në fshatin Manati të Lezhës.

Viktima ishte vëllai i Ndue Lekgjonaj, që i vrau babanë adoleshentit në 2009.

Adoleshenti mësohet se ka deklaruar para grupit hetimor, se armën me të cilën kreu krimin e kishte siguruar prej të paktën një viti.

Por refuzon të tregojë se si arriti ta gjente pistoletën me mulli apo nëse e kanë ndihmuar persona të tjerë.

Pasi la të vrarë në oborrin e shtëpisë së vjetër 65-vjeçarin Lek Lekgjonaj, 17-vjeçari shkoi dhe u dorëzua vetë në Policinë e Lezhës.

 “Kam vrarë dikë”, citohen të kenë qenë fjalët e tij të para, ndërsa ka dorëzuar pistoletën në një tavolinë.

Me orientimin e adoleshentit, policia gjeti trupin e pajetë të 65-vjeçarit Lek Lekgjonaj.

Sipas ekspertizës ai ishte qëlluar 6 herë ku një goditje e kishte marrë në kokë.

Florian Përvathi ishte vetëm 4-vjeç kur mbeti jetim pasi nëna i dha fund jetës vetëm një ditë pas vrasjes së babait.

Për të dhe vellezërit u kujdesën të afërmit.

Vetëm së fundmi 17-vjeçari ishte kthyer në banesën e vjetër ku siç duket ka planifikuar edhe hakmarrjen për të cilën nuk shpreh pendesë.

Të enjten ai pritet të dalë para gjykatës së Lezhës për njohur masën e sigurisë, ndërkohë që mbi të janë ngritur 3 akuza mes tyre dhe "vrasja për gjakmarrje".