U arrestua për tritolin në banesën Dukës, djali me kapuç banonte në një lagje me kreun e FSHF-së
Të tjera detaje kanë dalë në lidhje në lidhje me autorin e dyshuar të vendosjes së tritolit në derën e jashtme të banesës së kreut të FSHF-së, Armand Duka.
34-vjeçari është arrestuar mbrëmjen e sotme pasi policia zbuloi identitetit e tij nga kamerat. Shtetasi A.H rezulton të jetë sipërmarrës i i një kompanie tregtare me aktivitet market, bar, kafe.
Po ashtu mësohet se autori i dyshuar, që u arrestua mbrëmjen e sotme nga policia, është banor i lagjes nr.4 ku banon edhe kreu i FSHF-së.
Autori mësohet se nuk ka precedent të mëparshëm penalë, ndërsa tritolin që vuri në banesën e Dukës e kishte marrë në një pallat pranë lagjes nr.4.
Një ditë më parë rreth orës 22:10, ka ndodhur një shpërthim i fortë në oborrin e banesës së Dukës, në lagjen nr. 4 të qytetit të Durrësit. Brenda shtëpisë ndodhej bashkëshortja dhe djali i Dukës, ndërkohë ky i fundit shkoi në banesë vetëm pasi mori vesh për ngjarjen.
Si pasojë e shpërthimit nuk ka pasur persona të lënduar, por nga shpërthimi ishte dëmtuar porta e jashtme e oborrit të banesës së Dukës.
Kamerat kanë filmuar edhe personin që ka hedhur dinamitin. Në lidhje me ngjarjen ka pasur edhe reagime të shumta, ndër ta dhe Lulzim Basha e Ilir Meta.
Një ngjarje e tillë ndodhi pas përplasjeve të hapura mes FSHF-se dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Për këtë të fundit FSHF publikoi audiopërgjimin ku Veliaj kërcënonte si dhe shantazhonte institucionin e futbollit me një fjalor rruge gjatë mbledhjes së mbajtur pasditen e 23 janarit 2022 në prag të zgjedhjeve për shoqatën e Tiranës që do mbaheshin pasditen e 24 janarit.
