Stuhi bore në Greqi/ 75-vjeçari i bllokuar prej 22 orësh në autostradë:Ju lutem tregoni mëshirë, po dridhemi nga i ftohti

Reshjet e dendura të dëborës në Greqi kanë shkaktuar një sërë problemesh në shtetin helen, me rrugë të bllokuara nga bora, ngrica dhe ndërprerje të energjisë elektrike.

Shumë udhëtarë kanë mbetur në mes të rrugëve, pasi janë bërë të pa kalueshme nga bora e madhe.

Situata paraqitet kaotike në rrugën kombëtare "Attiki Odos" në Athinë, e cila prej orësh mbeti e bllokuar me qindra makina.

"Pamje turpi, me mijëra njerëz të bllokuar në makinat e tyre, në të ftohtë, për orë të tëra", shkruan media greke "iefimerdiha".

E tillë është historia e një 75-vjeçarit, i cili prej orësh kishte mbetur i bllokuar në makinën e tij në autostradën "Attiki Odos" , duke u shprehur se po dridhej nga i ftohti pasi i kishte mbaruar karburanti në makinë.

Konkretisht, 75-vjeçari zoti Christos, i cili ndodhej nga pasditja e djeshme, ka treguar për televizionin SKAI  për 22 orët e makthit që kaloi i bllokuar në autostradë.

“Dëgjuam se erdhi ushtria për të shpërndarë ushqime dhe batanije, por askush nuk erdhi këtu, po dridhemi nga i ftohti”, tha fillimisht ai.

“Një kolege më dha ujë për të pirë ilaçet, nuk kam karburant në makinë, nuk kam fuqi as të dridhem. Një zotëri tjetër këtu ka astmë çfarë të bëjë me të. Si ka mundësi që ushtria nuk ka ardhur këtu?”, shtoi ai.

Më pas ai apeloi për ndihmë: “Ju lutem, thuajuni të tregojnë mëshirë , nuk mund ta imagjinoni se çfarë po ndodh këtu, është e tmerrshme. Njerëzit po dridhen. A nuk ekzistojmë ne për ta? Ju lutemi na shpëtoni."

Për fat të mirë pak orë pas thirrjes së 75-vjeçarit, ekipet e ushtrisë  e shpëtuan. Ndërsa i moshuari në një deklaratë për mediet tha se "ku ishin ekipet e shpëtimit deri tani, dhe se pse duhet të vinin pas 22 orësh."

Mbrëmë, në “betejën” për lirimin e qytetarëve nga autostrada e Attikës, doli ushtria, e cila ndihmoi në hapjen e autostradës, pas urdhrit të ministrit të Mbrojtjes Civile, Takis Theodorikakou

Ushtria, ekipet zjarrfikësve, policia, si dhe vullnetarëve të Kryqit të Kuq dhe Buzëqeshjes së Fëmijëve kanë  nisur që nga orët e vona të pasdites së djeshme operacionin, për lirimin e qindra drejtuesve të mjeteve të cilët mbetën të bllokuar për orë të tëra në automjetet e tyre në Attiki Odos.

Operacioni zgjati gjithë natën me ushtarët që shpërndanë ushqime, ujë dhe batanije shoferëve të bllokuar.