Ukraina e mërzitur me qëndrimin gjerman
Ukraina zyrtare ka shprehur pakënaqësi me qëndrimin gjerman për situatën në të cilën ndodhet vendi. Sipas ukrainasve, qëndrimi gjerman për të mos dërguar armë favorizon synimet e Kremlinit. Amerikanët ndërkaq janë angazhuar në një diplomacy intensive për Ukrainën dhe armatosjen e saj për çdo eventualitet.
Gjermanët kanë refuzuar deri më tani që të dërgojnë armatim në Kiev, ndërsa vendi përballet me frikën e një pushtimi rus, ndërsa amerikanët dhe NATO kanë ndërmarrë një fushatë të gjerë diplomatike në mbrojtje të sovranitetit të Ukrainës.
Ministrja gjermane e Mbrojtjes Christine Lambrecht tha të shtunën në një intervistë për gazetën “Die Welt” se Berlini do të dërgojë një spital fushor në Ukrainë në shkurt, por refuzon dërgimin e armëve.
"Dorëzimi i armëve nuk do të ishte i dobishëm për momentin. Ky është konsensusi i qeverisë federale për situatën", tha Lambrecht për “Die Welt”.
Kievi zyrtar ka reaguar pas kësaj deklarate duke shprehur keqardhje për qendrimin gjerman.
Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba ka akuzuar Gjermaninë për "minim të unitetit" dhe "inkurajimin e Vladimir Putinit" duke refuzuar furnizimin me armë të Kievit. Kuleba shkroi se "deklaratat e fundit nga Gjermania për pamundësinë e transferimit të armëve mbrojtëse në Ukrainë nuk korrespondojnë me nivelin e marrëdhënieve tona dhe situatën aktuale të sigurisë".
Më herët ka qenë një tjetër skandal në Gjermani që tërhoqi vëmendjen e aleatëe dhe më gjerë.
Zëvendësadmirali Kay-Achim Schönbach tha gjatë një vizite në Indi se Ukraina nuk do ta rimarrë kurrë gadishullin e Krimesë, të aneksuar nga Rusia në 2014.
Ai gjithashtu vuri në pikëpyetje pikëpamjet perëndimore mbi qëllimet e Vladimir Putin në lidhje me Ukrainën, duke shtuar se presidenti rus meritonte "respekt".
Kreu i marinës gjermane dha dorëheqjen, por zhurma që shkaktuan komentet e tij mbeti.
Situata në Ukrainë është bërë gjithnjë e më e tensionuar, ndërsa rusët kanë pozicionuar mbi 120 mijë trupa në kufi me fqinjin e tyre.
Amerikanët kanë dhënë dritën jeshile që aleatët të armatosin Ukrainën për çdo eventualitet, ndërsa po vijojnë bisedimet zyrtare diplomatike me Moskën.

