“Moska, plane për të qeverisur Kievin”, Britania: Putin planifikon të vendosë një Kryeministër pro-rus

Teksa po përballet me akuzat se po planifikon pushtimin e Ukrainës, Rusia po planifikon të vendosë në krye të qeverisë në Kiev, një kryeministër pro Kremlinit. Ky është informacioni që vjen nga shërbimet infoirmatiove britanike, të cilat i bëjnë thirrje Putinit që të mos ndërmarrë hapa që do të kenë pasoja të rënda.

Situata në Ukrainë bëhet gjithë e më tensionuar, teksa perëndimi forcon tezën e saj se Rusia e ka gati planin e pushtimit të fqinjit të saj perëndimor dhe pavaërisht mohimit nga ana e Moskës, pritet ta vërë në zbatim së shpejti.

Ndërkohë Britani akuzon presidentin rus, Vladimir Putin, se po bën komplot që të instalojë një figurë pro-Moskës që ta udhëheqë Qeverinë e Ukrainës.

Zyra e Jashtme britanike tha se kandidati potencial i Kremlinit është ish-deputeti ukrainas, Yevhen Murayev.

Rusia ka vendosur mbi 100,000 trupa në afërsi të kufirit me Ukrainën, por mohon se po planifikon që ta sulmojë këtë shtet.

Në deklaratën e lëshuar, sekretarja e Jashtme britanike, Liz Truss, tha se “informacionet që po dalin sot hedhin dritë mbi aktivitetet ruse për të shkatërruar Ukrainën. Madje ajo paralajmëron se çdo pushtim rus në Ukrainë do të ishte një gabim i madh strategjik që do të kishte pasoja të rënda.

Por ashtu si për pretendimet për pushtimin e Ukrainës, Moska ka mohuar edhe akuzat se po përpiqet të vendosë mbështetës të saj në krye të Ukrainës.

Ndërkaq, agjencia AFP raporton se sekretari britanik i Mbrojtjes, Ben Ëallace ka ftuar homologun e tij rus, Sergei Shoigu që të bisedojë lidhur me tensionet në Ukrainë.

Ftesat për vizita të tilla vijnë në kohën e rritjes së tensioneve mes Rusisë dhe Perëndimin lidhur me grumbullimin ushtarak rus, por edhe të kërkesave të Moskës që po kërkon frenimin e aktivitetit të aleancës ushtarake, NATO në vendet e ish-Bashkimit Sovjetik.