"Luftë" me armë zjarri në resortin turistik, vriten dy kanadezë, plagoset një tjetër

Dy kanadezë u vranë dhe një i tretë u plagos në një shkëmbim zjarri në një kompleks hotelesh pranë Kankunit, thanë autoritetet meksikane të premten. Sulmi ndodhi në kompleksin Xcaret, kur një burrë me origjinë kanadeze hapi zjarr ndaj tre viktimave.
Të tre kishin precedentë të rëndë penalë në Kanada për rastet e përdhunimeve, drogës dhe armëve, sipas autoriteteve kanadeze të cituara nga Prokuroria meksikane.
Në nëntor 2021, dy trafikantë të dyshuar droge u vranë nga zjarri në një plazh në një hotel aty pranë në Kankun.
Në tetor, dy turistë, një gjerman dhe një indian, u vranë në një shkëmbim zjarri midis trafikantëve të dyshuar të drogës në Tulum, një vendpushim bregdetar në zonë.
Dhuna e lidhur me aktivitetin e bandave, veçanërisht shitjen me pakicë të drogës, ka përfshirë brigjet e Karaibeve të Meksikës prej vitesh.
Incidentet i shtynë qeveritë evropiane dhe autoritetet amerikane të paralajmërojnë qytetarët e tyre për rreziqet e vizitës së zonës, e cila është një nga destinacionet turistike më të preferuara në botë.
Sektori i turizmit kontribuon me 8.5% të PBB-së së Meksikës; është aktiviteti kryesor në pjesën juglindore të vendit.
Në Meksikë, 33,308 vrasje u regjistruan zyrtarisht në vitin 2021, 91,25 në ditë mesatarisht , një numër pak më i ulët se 34,554 që ishin në 2020.
Që nga dhjetori 2006, kur qeveria e presidentit të atëhershëm Felipe Calderon nisi luftën shumë të diskutueshme kundër bandave të trafikut të drogës, duke vendosur trupa brenda vendit, rreth 340,000 njerëz janë vrarë në Meksikë, sipas autoriteteve, shumica prej tyre nga kartelet e drogës.

