Tragjike! Shpërthen kamioni me eksploziv, 17 të vdekur dhe 59 të plagosur

Të paktën 17 persona humbën jetën dhe 59 të tjerë u plagosën pas një shpërthimi që ndodhi ditën e djeshme pranë qytetit minerar Bogoso, në perëndim të Ganës.

Mësohet se shpërthimi ka ndodhur në një kamion që transportonte eksploziv.

Lajmin e ka bërë me dije ministri i Informacionit, Kojo Oppong-Nkrumah.

Shpërthimi ndodhi rreth orës 12 në Appiatse, rreth 300 kilometra në perëndim të Akra, kryeqyteti i këtij vendi të Afrikës Perëndimore të pasur me burime minerale.

Sipas informacioneve paraprake, kamioni ka shpërthyer teksa po transportonte lëndë shpërthyese për një kompani minerare. Deri më tani ende nuk dihen shkaqet e këtij shpërthimi.

Nga 59 të plagosurit 42 janë aktualisht të shtruar në qendrat shëndetësore ndërkohë disa të tjerë ndodhen në gjendje kritike për jetën.

Të gjithë spitalet aty pranë janë mobilizuar për të trajtuar të plagosurit.