Blinken-Lavrov/ Kryediplomatët takohen në Gjenevë, fokusi te tensionet në Ukrainë
Sekretari amerikan i Shtetit Anthony Blinken ka mbërritur në Gjenevë për të zhvilluar bisedime mbi Ukrainën me homologun e tij rus Sergei Lavrov.
Ukraina është kthyer në një vatër tensioni mes Perëndimit dhe Rusisë, teksa zyrtarët amerikanë dhe ata rusë janë angazhuar në bisedime të drejtpërdrejta.
Perëndimi po kërkon që Rusia të tërheqë trupat dhe armët e saj nga kufiri me Ukrainën, ndërsa Moska kërkon që NATO të kufizojë operacionet e saj në Evropën Lindore dhe Qendrore, ndërsa thekson se aleanca ushtarake veriatlantike duhet të refuzojë ofertën e anëtarësimit të Ukrainës.
Sekretari Blinken foli nga Berlini gjatë konferencës me homologen gjermane Baerbock duke e lënë topin në derën e rusëve. Putini ka një zgjedhje midis “dialogut dhe diplomacisë nga njëra anë dhe konfliktit dhe pasojave nga ana tjetër. Ai duhet të vendosë se cilën drejtim do të ndjekë,” tha Blinken.
Amerikanët dhe europianët janë të shqetësuar për një pushtim të mundshëm nga Rusia të Ukrainës. Kjo do të sillte pasoja të rënda për sigurinë e krejt kontinentit Evropian, jo thjesht të Ukrainës. Presidenti ukrainas Zelenski u shpreh në një konferencë shtypi se nuk mund të ketë garanci për sigurinë e Evropës për sa kohë që rajonet e vendit të tij mbeten nën kontrollin e Rusisë dhe separatistëve pro-Kremlinit.

