Kosova përkujton Ibrahim Rugovën, Osmani: Arkitekt i pavarësisë, lirisë dhe demokracisë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti kanë bërë homazhe pranë varrit të ish-presidentit, Ibrahim Rugova në 16-vjetorin e vdekjes së tij.
Dy krerët e vendit vlerësuan figurën e ish-presidentit Rugova dhe kontributin e tij për liri dhe pavarësi. Presidentja Osmani e quajti atë arkitekt të pavarësisë së Kosovës.
Kryeministri Kurti u ndal te koha kur Rugova u zgjodh president në vitin 1992, duke vlerësuar rolin e tij në bashkimin e shqiptarëve kundër Serbisë.
Edhe kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës kreu homazhe për liderin historik të kësaj force politike.
Në fjalën e tij, kreu i LDK-së, Ludmir Abdixhiku e quajti ish-presidentin Rugova një njeri me vizion për të ardhmen e Kosovës dhe patriot të papërsëritshëm.
Ibrahim Rugova u nda nga jeta në 21 janar 2006 në moshën 62-vjeçare. Kosova e përkujton si presidentin dhe liderin historik të LDK-së.

