Forcat sudaneze vrasin shtatë persona gjatë protestave kundër grushtit të shtetit
Të paktën shtatë protestues u qëlluan për vdekje nga forcat sudaneze të sigurisë të hënën gjatë mitingjeve kundër grushtit të shtetit në kryeqytetin Khartoum.
Më shumë se 100 njerëz u plagosën mes të shtënave, të cilat shpërthyen ndërsa mijëra protestues marshuan drejt pallatit presidencial në kundërshtim me grushtin e shtetit ushtarak të tetorit të kaluar.
Në videot e shpërndara nga aktivistët sudanezë në mediat sociale, breshëri me gaz lotsjellës u hodhën ndaj protestuesve që po bllokonin rrugët kryesore që të çonin në kompleksin presidencial.
Kjo situatë vjen pasi Këshilli Sovran në pushtet i Sudanit, i kryesuar nga gjenerali Abdel Fatah al-Burhan, tha të hënën se do të krijojë një forcë antiterroriste për të kundërshtuar kërcënimet e shumta të mundshme.
Ka pasur disa demonstrata masive kundër sundimit ushtarak që nga grushti i shtetit i 25 tetorit dhe të paktën 71 persona janë vrarë nga forcat e sigurisë.
Forcat e Lirisë dhe Ndryshimit, një aleancë e partive dhe lëvizjeve politike civile, bëri thirrje për dy ditë mosbindje civile dhe një grevë të përgjithshme në përgjigje të dhunës së së hënës.
“Komitetet e rezistencës u kanë bërë thirrje njerëzve që të barrikadojnë lagjet dhe rrugët kryesore për të ndaluar lëvizjen”, - shkroi kjo lëvizje në Facebook.
Sudani ishte qeverisur nga një aleancë mes grupeve ushtarake dhe civile që nga viti 2019.
Por në tetor, ushtria mori efektivisht kontrollin, duke shpërbërë Këshillin Sovran të ndarjes së pushtetit dhe qeverinë kalimtare dhe duke arrestuar përkohësisht kryeministrin Abdalla Hamdok.

