Shkatërrim total, vullkani nënujor shkëput Tongën nga bota
Tonga është goditur nga “një katastrofë e pashembullt”, tha Qeveria e këtij shteti.
Kjo është deklarata e parë e Qeverisë së Tongas, që prej se në këtë shtet të shtunën shpërtheu një vullkan, që shkaktoi edhe cunami.
Përmes një deklarate, Qeveria konfirmoi tri viktima: dy banorë lokalë dhe një shtetas britanik. Më herët, mediat kanë raportuar se në mesin e viktimave është edhe britanikja, Angela Glover, 50 vjeç, që besohet se vdiq nga cunami, teksa ajo kishte tentuar që të shpëtonte qentë për të cilat përkujdesej, ka deklaruar vëllai i saj.
Qeveria tha se ishujt më të vegjël janë goditur më së shumti, ku pothuajse të gjitha shtëpitë janë shkatërruar.
Përpjekjet për ndihmë janë penguar nga hiri vullkanik që po vazhdon të bie. Ndërkaq, vullnetarët po pastrojnë pistën e aeroportit kryesor me qëllim që të mundësohet aterrimi i avionëve me ndihma dhe ujë të pijshëm.
Komunikimet në këtë ishuj janë ndërprerë, pasi një kabllo nënujore, që lidhte Tongan me pjesën tjetër të botës, është këputur pas shpërthimit të vullkanit. Qeveria tha se nuk ka as shërbime të internetit, por disa shërbime telefonike po funksionojnë. Ndërkaq, evakuimet nga ishujt më të prekur, sipas ekzekutivit, veçse kanë filluar.
Më herët, një diplomat i Tongas tha se vullkani dhe cunami kanë shkaktuar dëme të mëdha.
“Njerëzit i ka kapur paniku, po vrapojnë dhe po lëndohen. Ka gjasa që të rritet numri i viktimave, por lutem që kjo mos të ndodh”, tha zëvendësdrejtori i misionit të Tongas në Australi, Curtis Tu’ihalangingie.
Ai shtoi se imazhet e bëra nga Forca e Mbrojtjes së Zelandës së Re, tregojnë se një fshat në ishullin Mango është shkatërruar i tëri, ndërkaq disa ndërtesa janë zhdukur në afërsi të ishullit Atata.
Vullkani nënujor shpërtheu të shtunën, duke liruar hi vullkanik dhe më pas shkaktoi cunami.
Tonga përbëhet nga mbi 170 ishuj në zonë e Paqësorit Jugor. Mbi 100,000 persona jetojnë në Tonga dhe pjesa më e madhe e popullsisë jeton në ishullin Tongatapu.
Kombet e Bashkuara më herët raportuan se një alarm ishte lëshuar në Ha’apai, ku gjendet ishulli Mango. Autoritetet detare të Tongas raportuan se kjo zonë është goditur nga valë 5 deri në 10 metra të larta.
Ishujt Atata dhe Mango janë rreth 70 kilometra nga vullkani Hunga Tonga-Hunga Ha’apai, që shpërtheu më 15 janar. Cunami që pasoi shpërthimin e vullkanit u detektuan rreth 2,300 larg, deri në Zelandën e Re.



