Escobar luftë kundër korrupsionit në Ballkan: SHBA-të do të intensifikojnë angazhimin e tyre në të ardhmen

I dërguari i Posaçëm i SHBA-ve, Gabriel Eskobar ka dhënë një intervistë për Zërin e Amerikës në Serbi, ku ka folur për sanksionet amerikane ndaj politikanëve dhe biznesmenëve të lidhur me korrupsionin.

Escobar tha se sanksionet nuk janë rruga e vetme e SHBA-ve për të luftuar të korruptuarit.

Escobar: “Nuk dua që njerëzit të mendojnë se Shtetet e Bashkuara po angazhohen në rajon kryesisht përmes sanksioneve. Ne kemi shumë mundësi për të çuar përpara agjendën e partnerëve tanë, për të çuar përpara agjendën e njerëzve që përfaqësojnë me të vërtetë aspiratat e popujve të tyre. Unë do të thoja se është kryesisht aspirata e këtyre njerëzve që të jetojnë në vende që janë pa korrupsion dhe që i afrohen Evropës. Kjo është ajo që njerëzit në rajon dëshirojnë në një masë të madhe. Megjithatë, kjo administratë është shumë e përkushtuar në luftën kundër korrupsionit dhe një nga mjetet në këtë luftë janë këto sanksione. Dhe mund të them PO, do të ketë më shumë, por ky nuk do të jetë mjeti kryesor i angazhimit tonë. Për më tepër, më duhet të sqaroj gjithashtu se këto sanksione nuk janë në shënjestër të vendeve. Ato nuk synojnë popuj të veçantë. Ata synojnë individë që janë thellësisht të përfshirë në korrupsion”.

Diplomati gjithashtu premtoi se në të ardhmen do të intensifikohet angazhimi amerikan në Ballkanin Perëndimor.

Ai u ndal edhe te zgjedhjet presidenciale në Serbi që pritet të mbahen në 3 prill, ku theksoi se mediet janë të kapura nga qeveria. 

Escobar vuri në dukje se ka një përpjekje të ripërtërirë që Shtetet e Bashkuara të angazhohen në të gjithë mekanizmat që ishin të suksesshëm, dhe kjo, sipas tij, është të forcojë Marrëveshjen e Dejtonit, të mbështesë dhe rinovojë dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe bashkëpunimin e ngushtë me partnerët e NATO-s dhe për të siguruar që ata të mund të përmbushin detyrimet e tyre të NATO-s.