Legjitimiteti i qeverisë së re, VMRO dhe LSDM përplasen në Kuvend

Mazhoranca dhe opozita maqedonase vijuan edhe këtë të dielën debatin në Kuvend lidhur me legjitimitetin e krijimit të qeverisë së re. Për opozitën, Kovaçevski nuk ka marrë pjesë në zgjedhje, nuk ka kërkuar besimin e qytetarëve dhe nuk ka marrë asnjë votë prej tyre, dhe si i tillë, nuk ka legjitimitet për të drejtuar qeverinë. Por këto pretendime janë hedhur poshtë nga mazhoranca në Kuvend.

Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut ka vijuar edhe këtë të diel debati për zgjedhjen e qeverisë së re, që do të drejtohet nga Dimitar Kovaçevski, kryetar i Lidhjes Sociale Demokrate. Debati pritet do të zgjasë deri në mesnatën e së dielës kur edhe do të votohet për përbërjen e re të qeverisë.

Qeveria e re do të ketë 21 anëtarë; 17 ministra dhe 4 zëvendëskryeministra. Lidhja Social Demokrate do të ketë 12 anëtarë të Qeverisë, gjashtë Bashkimi Demokratik për Integrim dhe tre partia Alternativa. Debati nisi me fjalimet e deputetëve të VMRO DPMNE-së, të cilët thanë se qeveria që do të drejtohet nga Dmitar Kovaçevski nuk ka legjitimitet, pasi sipas deputetes së VMRO DPMNE-së, Bllagica Lasovska, Kovaçevski nuk ka marrë pjesë në zgjedhje, nuk ka kërkuar besimin e qytetarëve dhe nuk ka marrë asnjë votë prej tyre.

Ajo tha se “shumica e ministrave janë vazhdimësi e regjimit hibrid” që u mund në zgjedhjet lokale disa muaj më parë”.

Ndërkaq, Marija Georgievska, deputete e LSDM-së, hodhi poshtë pretendimet e opozitës se qeveria nuk ka legjitimitet.

Ajo tha se partitë që do të jenë pjesë e qeverisë së re kanë legjitimitet të plotë ta udhëheqin vendin, sepse në zgjedhjet e fundit parlamentare kanë marrë mbështetjen e qytetarëve.

Halil Snopçe, deputet i Aleancës për Shqiptarët tha se “qeveria mund të quhet e re, por të gjithë anëtarët e saj janë fytyra të vjetra të qeverisë së kaluar të korruptuar dhe të paaftë të përballet me shumë probleme me të cilat përballet vendi”. Ai tha se zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë mënyra e vetme për dalje nga gjendja në të cilën ndodhet Maqedonia e Veriut.

Dimitar Apasiev, deputet i partisë “E Majta”, kritikoi përbërjen e qeverisë, respektivisht numrin e madh të ministrave shqiptarë, që sipas tij, flet për tendencën për “shqiptarizimin e Maqedonisë”.

Ndërsa i mandatuari për formimin e qeverisë së re, Dimitar Kovaçevski në fjalimin e tij para deputetëve tha se ka plan konkrete për zhvillimin e vendit dhe se puna e Qeverisë së re do të përqendrohet në tri prioritete: përballjen me krizën energjetike, pandeminë e koronavirusit, rritjen e standardit jetësor të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut dhe realizimin e investimeve strategjike.

Ai tha se qeveria do të angazhohet seriozisht edhe për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë, por përjashtoi çdo mundësi që të bisedohet edhe për çështjet që kanë të bëjnë me identitetin. Kovaçevski hodhi poshtë edhe kërkesën e opozitës për zgjedhje të parakohshme. Ai në postin e kreut të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut do të zëvendësojë ish-kryeministrin Zoran Zaev, i cili dha dorëheqjen për shkak të disfatës së LSDM-së në zgjedhjet lokale, që u mbajtën më 31 tetor të vitit 2021