“Është unik”, Tuchel lavdëron Armando Brojën ndërsa për Lukakun ka kritika
Forma që po kalon Armando Broja te Southampton nuk ka mbetur pa u vënë re nga Thomas Tuchel. Chelsea do të kërkojë fitoren të Martën ndaj Brighton për t’u rikthyer te suksesi në Premier League, dhe duke folur për ndeshjen e radhës, trajneri gjerman përmendi lojtarët e huazuar nga Chelsea dhe sigurisht Armando Brojën, ku vlerësimet për të ishin tepër pozitive.
“Broja është lojtari ynë dhe po bën mirë. Por, në të njëjtën kohë, është vetëm gjysmë sezoni, dhe ai duhet të vazhdojë të përmirësohet dhe të bëjë mirë në Southampton. Ne kemi një arsye pse ata janë lojtarët tanë. Armando po bëhet gjithnjë e më i mirë. Ai është një lojtar shumë unik me disa pika të forta unike në lojën e tij. Shpejtësia e tij, ai është i fortë dhe golashënues. Së pari, tani nuk është momenti për të diskutuar për të. Është momenti që ai të qëndrojë i qetë dhe të vazhdojë të përmirësohet”, deklaroi trajneri gjerman. Kujtojmë që Broja ka një kontratë të gjatë me Chelsean dhe detyrimisht në verë do të rikthehet te blutë e Londrës.
Por në të njëjtën konferencë, trajneri gjerman u ngacmua edhe për Romelu Lukakun për të cilin dha disa mesazhe kritikuese që lënë të kuptohet se në verë belgu mund të largohet e në vend të tij të konfirmohet Broja.
“Mendoj se po bëjmë gjithçka që mundemi për ta ndihmuar, por nuk do të doja që gjithçka të përqëndrohej në një lojtar, edhe pse flasim për një lojtar kyç dhe të gjithë duam që ai të jetë vendimtar. Por unë mendoj se kjo lloj qasjeje është krejtësisht i gabuar. Përpjekja për të vënë një lojtar në një pozicion që të shprehet sa më mirë është ajo që bëjmë me të gjithë. Futbolli është një lojë grupi dhe për mua nuk ekziston që 10 apo 11 lojtarë të luajnë në shërbim të njërit. Te Chelsea nuk funksionon kështu, në futboll nuk funksionon kështu”, deklaroi Tuchel që i tërheq vëmendjen tashmë Lukakut se ai duhet të bëjë vet e të punojë siç bëjnë të gjithë te Chelsea./Ora News/.
