Meta “shpëton” edhe për disa ditë, shtyhet në 1 shkurt seanca në Kushtetuese për shkarkim

Çështja për shkarkimin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë për shkelje të rënda të Kushtetutës në Gjykatën Kushtetuese do të mbahet në datë 1 shkurt.

Kështu ka bërë me dije Kushtetuesja në një njoftim, pasi seanca e planifikuar më datë 18 janar është shtyrë për shkak se relatori i çështjes ka rezultuar pozitiv me COVID-19.

“Çështja me kërkues Kuvendin e Republikës së Shqipërisë dhe objekt: “Për shkarkimin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë për shkelje të rënda të Kushtetutës”, e planifikuar për t’u zhvilluar në seancën plenare publike të datës 18.01.2022, ora 10:00, bazuar në nenin 44/a të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, është shtyrë për në datën 01.02.2022, ora 10:00, për arsye se relatori i çështjes ka rezultuar pozitiv me COVID-19.” – bën me dije Kushtetuesja.