Kullat në territorin e selisë blu, Bardhi shkresë zyrtare Bashkisë: Kush janë propozuesit dhe financuesit e këtij projekti?
Partia Demokratike i është drejtuar zyrtarisht me shkresë Bashkisë së Tiranës për informacion në lidhje me lajmin e bërë publik në lidhje me planin për ndërtimin e tre kullave shumëkatëshe në territorin e selisë blu.
Sekretari i Përgjithsëm i PD, Gazment Bardhi, ka parashtruar disa pyetje në lidhje me projektin.
Bardhi kërkon nga Bashkia e Tiranës që ti vendosë në dispozicion praktikën e plotë shkresore që disponon lidhur me projektin “Four Freedoms Park”, nga momenti i dorëzimit të tij deri në datën e marrjes së kësaj kërkese.
SHKRESA E PD DREJTUAR BASHKISE
Në datën 13.01.2022, media bëri publike një ide projekt ku parashikohej ndërtimi i tre kullave, pikërisht në territorin ku ndodhet selia qëndrore e Partisë Demokratike. Në mungesë informacioni mbi këtë projekt, Sekretari i Përgjithshëm i PD Gazment Bardhi i ka dërguar një kërkesë për informacion Bashkisë së Tiranës, ku kërkon që t’i vihet në dispozicion një informacion të plotë dhe të detajuar, për sa më poshtë:
-Kur është dorëzuar zyrtarisht projekti “Four Freedoms Park” pranë Bashkisë Tiranë, dhe kush kanë qenë propozuesit/financuesit e këtij projekti? A ka pasur gjatë ditëve të fundit një përpjekje nga propozuesit e projektit apo persona të tjerë për riaktivizimin e këtij projekti?
-Cila ka qenë procedura e ndjekur nga Bashkia Tiranë lidhur me trajtimin e këtij projekti? A ka pasur një prezantim të këtij projekti pranë zyrave të Bashkisë Tiranë? Nëse po, kush kanë qenë pjesëmarrësit privatë dhe institucionalë gjatë këtij prezantimi? Kujt i është njoftuar ky projekt deri më tani?
-A ka pasur një vendimmarrje lidhur me këtë projekt? Nëse po, ju lutem të na vini në dispozicion aktet përkatëse, duke na sqaruar edhe cili është statusi aktual i këtij projekti dhe nëse sipas rregullave në fuqi të planifikimit të territorit a lejohet ndërtimi në zonën e propozuar?
-Ju lutem, na vini në dispozicion praktikën e plotë shkresore që disponon Bashkia Tiranë lidhur me projektin “Four Freedoms Park”, nga momenti i dorëzimit të tij deri në datën e marrjes së kësaj kërkese.

