Vasili për Ora News: Pas 25 prillit, me ata që mbajnë vulën nuk ka komunikim

“Me ata që mbajnë vulën nuk ka komunikim” tha Petrit Vasili sot në një intervistë për Ora News, duke analizuar përplasjen brenda PD-së

“PD është sot në një problem të rëndësishëm brenda vetes shkaktuar për shkak të krizës së thellë të legjitimitetit. PD është e detyruar të zgjidhë problemet përfundimtare që të përcaktohet një rol gjithnjë e më të qartë në skenën politike. Sa më shumë qartësi në pozicionimin aq më mirë dhe organizimi në opozitë."

Afera e incineratorëve

LSI thotë se SPAK duhet t’i bëhet një presion publik përse nuk vepron për të vënë në pranga të gjithë zinxhirin e atyre që kanë firmosur në aferën e incineratorëve.

“Kemi aferë 130 milionëshe. Keni kryetarin e bashkisë së Tiranës, ministrat nga i pari tek i fundit dhe kryeministrin. Faktet janë të qarta. Puna e SPAK është lehtësuar pasi qindra dokumente janë vënë në dispozicion. Në vend të një veprimtarie të rrufeshme të këtij grupi kriminal nga ministrat tek kryeministri kemi pasivitet do të thoja e qëllimshme, dhe mosveprimi me të gjithë fuqinë e duhur dhe në kohë.”

Po pozicioni i PD-së?

Vasili thotë se “PD ka marrë një veprim shumë të dyshimtë pasi në komisionin hetimor parlamentar, Basha ka refuzuar pjesëmarrjen e LSI-së që është denoncuesja më e madhe e kësaj afere, dhe ku kallëzimet dhe denoncimet vunë në lëvizje SPAK. Refuzimi flet qartë pozicionimin e këtyre personave në PD sepse në të kundërt të gjithë do të mirëprisnin që një forcë politike të ishte në krye të tavolinës . Diçka është e fshehur që refuzojnë LSI.”