Kosova përplaset me ndërkombëtarët / Ministria e Jashtme: Referendumi serb, shkel sovranitetin

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti i është përgjigjur shteteve kryesore të perëndimit, të cilat kërkuan mbajtjen e referendumit të Serbisë në vend, pasi kryeministri Kurti tha se serbët e Kosovës do të mund të votojnë vetëm përmes postës.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Ahmeti shprehet se Kosova nuk po iu ndalon serbëve të drejtën e votës, pasi ajo ka vënë në dispozicion alternativa votimi dhe çdo kërkesë shtesë e Serbisë është pretekst për destabilizim.

Ahmeti: E drejta e votimit nuk po i mohohet asnjë qytetari të Serbisë në Kosovë. Por, kjo e drejtë nuk mund të manifestohet duke shkelur sovranitetin e vendit. Përderisa ata mund të votojnë përmes postës dhe zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Prishtinë, çdo kërkesë shtesë e Serbisë është vetëm pretekst për destabilizimin e vendit dhe rajonit. Njohja e së drejtës së dikujt, nuk duhet të bëhet në kurriz të së drejtës së tjetrit.

Më herët, gjatë paradites së të premtes, delegacionet ndërkombëtare, përfshirë SHBA, Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Francën, Italinë dhe BE-së përmes një deklarate të përbashkët i bënë thirrje qeverisë Albin Kurti të lejojë misionin vëzhgues të OSBE-së për mbarëvajtjen e referendumit të së dielës.

Kryeministri Kurti të enjten replikoi me shefin e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell ku shprehu indinjatën e tij se mbajta e referendumit serb në Kosovë shkelte sovranitetin e vendit.

Në 16 janar, Serbia do të mbajë një referendum për ndryshimet kushtetuese për organet gjyqësore, presidenti Vuçiç ka paralajmëruar Kosovën se nëse nuk hapen kutitë e votimit për pakicat serbe do të ketë pasoja të rënda për Prishtinën.