Antony Blinken letër Albin Kurtit: Po koordinohemi me BE për dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës
Sekretari i shtetit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Antony J.Blinken, i ka dërguar një letër Kryeministrit Albin Kurti, ku thuhet se marrëdhënia ndërmjet SHBA dhe Kosovës është e rrënjosur në vlerat e përbashkëta demokratike.
Sipas njoftimit që ka bërë Kryeministria e Kosovës, mësohet se në letër Blinken shkruan se me strehimin e afganëve, Kosova po tregon lidership në të cilin Shtetet e Bashkuara dhe të tjerët mund të mbështeten.
Në letër përmendet edhe disa tema tjera si: sundimit të ligjit, mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve dhe nxitjen e rritjes ekonomike.
“Si mik dhe partner i Kosovës, Shtetet e Bashkuara presin të bashkëpunojnë me ju për ta zbatuar plotësisht agjendën e Presidentit Biden të përcaktuar për marrëdhënien tonë, përfshirë fuqizimin e sundimit të ligjit, mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve, nxitjen e rritjes ekonomike dhe sigurimin e marrëveshjes së vonuar prej kohësh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me fokus në njohjen e ndërsjellë”, ka shkruar në letër Sekretari Blinken.
Lidhur me raportet ndërmjet Kosovës e Serbisë, Blinken shkruan se mbetet forumi më i mirë për normalizimin e negociatave ndërmjet Beogratit dhe Prishtinës.
Blinken shton se ka koordinim mes administratës së Bidenit dhe partnerëve në BE për dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës.
“Besojmë që dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja mbetet forumi më i mirë për normalizimin e negociatave ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe ne koordinohemi nga afër me partnerët tanë në BE për këtë qëllim. Ju inkurajoj që t’i kushtoni vëmendje arritjes së marrëveshjes për energji elektrike në veriun e Kosovës dhe për avancimin e qëllimeve të përbashkëta në lidhje me personat e pagjetur. Është në interes të Kosovës që këto çështje të zgjidhen dhe të çojnë drejt një zgjidhjeje kompromisi në planin afatshkurtër, e që të mund të shërbejnë si bazë për progresin e mëtejshëm drejt normalizimit gjithëpërfshirës”, ka shkruar Blinken.
Ai ka shtuar ndër të tjera se mbështetja e vendimeve gjyqësore, në veçanti vendimeve që ndërlidhen me të drejtat e minoriteteve, do të kishte efekt të ngjashëm pozitiv dhe është në harmoni me prioritetet e qeverisë tuaj për fuqizimin e sundimit të ligjit.
“Ju lutemi të punoni ngushtë me Ambasadorin Hovenier dhe Përfaqësuesin Special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, sepse të dy janë plotësisht të autorizuar për t’i adresuar këto çështje me ju. Të dy janë të përgatitur për t’i diskutuar specifikat me ju dhe ekipin tuaj. Jemi të gatshëm ta ndihmojmë Kosovën për t’i arritur qëllimet e përbashkëta”, ka përmbyllur letrën dërguar kryeministrit Kurti Blinken.

