S’ka vaksinë me detyrim në Maqedoninë e Veriut
Kreu i LSDM-së dhe i mandatari për të formuar qeverinë e re në Maqedoninë e Veriut, Dimitar Kovaçevski ka dhënë një intervistë për mediet vendase ku ka folur për procesin e vaksinimit ku është shprehur se mbështet qytetarët, por ai nuk është dakord me detyrimin për t’u vaksinuar.
Kovaçevski: Dua t’i stimuloj qytetarët të vaksinohen, pasi kështu përveç të tjerave ndihmojmë edhe personelin shëndetësor dhe ekonominë, e cila konsiston në mosmarrjen e masave kufizuese. Megjithatë unë nuk do të pranoj ta zgjidh situatën me presion, pasi opinioni i publikut duhet të respektohet.
Në Maqedoninë e Veriut, vetëm 39,2% e popullsisë është e vaksinuar kundër koronavirusit, duke zënë vendin e katërt në shtetet e Ballkanit Perëndimor, ndërsa Shqipëria dhe Bosnje Hercegovina renditen të fundit.
Me ardhjen e Kovaçevskit pritet që klima politike të rehabilitohet pasi kreu i LSDM-së dhe ai i partisë kryesore opozitare VMRO-DPMNE, Hrisjtan Mickoski pritet të mbajnë një takim për të zgjidhur krizën politike që u shkaktua pas zgjedhjeve lokale të 2021.
VMRO fitoi bindshëm duke detyruar ish-kryeministrin Zoran Zaev të jepte dorëheqjen nga kreu i ekzekutivit dhe i Lidhjes Socialdemokrate.

