Referendumi serb edhe në Kosovë/ Borrell: Qytetarëve duhet tu lejohet e drejta për votim

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell njoftoi se ka biseduar përmes telefonit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Vuçiç lidhur me referendumin që pritet të mbajë Serbia në 16 janar për ndryshimet kushtetuese.

Borrell përmes një postimi në rrjetin social Twitter tha se është e rëndësishme që qytetarët serbë në Kosovë, të ushtrojnë të drejtën e votimit.

Borrell: Dje bisedova me kryeministrin Kurti dhe presidentit Vuçiç lidhur me grumbullimin e votave në Kosovë për referendumin kushtetues që mbahet të dielën në Serbi. Grumbullimi i votave në të kaluarën është bërë me lehtësimin e OSBE-së. Qytetarët duhet të jenë në gjendje që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votimit.

Kryeministri Kurti po ashtu përmes twitterit tha se serbët mund të votojnë përmes postës, pasi referendumi i një shteti tjetër në Kosovë është i papranueshëm nga vendet demokratike.

Kurti: Gjatë një bisede me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell unë shpreha qëndrimin tonë.  Serbët në Kosovë me shtetësi të dyfishtë mund të votojnë në referendumin e Serbisë përmes postës. Referendumi i një shteti tjetër në një territor sovran nuk është praktikë e pranueshme nga asnjë shtet demokratik.

Brukseli u shpreh se serbët e Kosovës kanë votuar edhe më herët në të tilla procese përmes lehtësimit të OSBE-së.

Serbia do të mbajë në 16 janar referendumin për ndryshimet kushtetuese, nga i cili pretendohet të vijë një sistem gjyqësor i pavarur, i cili do të ishte konform i procesit të integrimit në BE.

Fraza ‘Krahina e Kosovës dhe Metohisë është pjesë përbërëse e territorit të Serbisë’ nuk do të ekzistojë në referendumin e 16 janarit.