Afera e incineratorëve, Goci: Kjo çështje s’do të vazhdojë më tej sepse na duhet të përballemi me Ramën e Veliajn
Incineratorët vijojnë të marrin para nga buxheti i shtetit edhe pas skandalit të fundit, i cili çoi në burg ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka.
Në lidhje me këtë pedagogu Ervin Goci, në një intervistë për Ora News, me gazetaren Matilda Mcini është shprehur se operacioni i drejtësisë ishte një tallje e madhe.
Goci thekson se paratë nga buxheti i shtetit vijojnë të grabiten pa asnjë lloj shqetësimi.
Ervin Goci: Ne sot jemi në situatën e një skeme financiare super-qepur, e kryer me rrëmbim, shpejt, në mënyrë agresive dhe me njerëz që u ngritën nga askushi. U bë gjithë procesi pa asnjë lloj konsultimi, pa asnjë lloj gjëje. U dogjën ca plehra vërdallë. E gjitha ishte një skenë si në mafien e Napolit, për t’i llahtarisur qytetarët. Janë hedhur paratë dhe ne nuk kemi asnjë lloj shërbimi. Përsa i përket drejtësisë, e quaj një tallje të madhe atë operacion, thjesht arrestimin e një ish-ministri. Sepse në një aferë 400 milionë euro dhe ti të kapesh me një thërrime 3.5 milionë euro, për mua është një tallje e madhe, dhe mbi të gjitha skema vazhdon. E gjithë ajo ngrehinë për të grabitur paratë e qytetarëve, nuk i lëvizë thërrimja. Paratë e buxhetit të shtetit vazhdojnë merren pa asnjë lloj shqetësimi.
Goci thotë se çështja e incineratorëve nuk do të vazhdojë më tej, pasi sipas tij drejtësia nuk do të shkojë deri te Edi Rama dhe Erion Veliaj.
Ervin Goci: Duhet të ishte parë se çfarë dëmi i është bërë shtetit dhe për të vajtur te fajtorët real, që janë ata që në radhë të parë e kanë miratuar këtë skemë. Aty keni firmën e Erion Veliajt. Me çfarë llogarish ka dalë garante bashkia, ku është transparenca, ku është konsultimi, me çfarë të drejte e mori atë vendim? Nuk kam besim se do të shkojë më tej. Që të vazhdohet kjo histori duhet të shkohet te Erion Veliaj, te Arben Ahmetaj dhe te Edi Rama. Unë se besoj se drejtësia duhet të shkojë deri këtu.
Përgatiti Anila Kolgjini.
