"Beteja zhvillohet për logon e partisë", Hasimja: Sot kemi dy PD, Berisha ka goxha mbështetje

Sali Berisha është përjashtuar përfundimisht nga Kryesia e Partisë Demokratike. Në mbledhjen e Kryesisë  e cila zgjati rreth 7 orë, u vendos edhe  përjashtimi i 7 anëtarëve dhe pezullimi i disa mbështetësve të tjerë të ish-kryeministrit Berisha. Vendimi për përjashtim nga Kryesia u mor edhe për Bujar Nishanin,  Flamur Nokën, Albana Vokshin, Edmond Spahon, Arben Ristanin, Klevis Balliun dhe Keltis Krujën.

Analisti Ermal Hasimja, në një lidhje të drejtpërdrejtë në Ora News me gazetaren Matilda Mcini u shpreh se fakti i thjeshtë që ekziston sot është që nuk ka më një PD, por janë dy PD. Është PD e Bashës, sipas tij dhe PD e anti Bashës.

Hasimja: Nuk mund t'i themi PD e Berishës se një pjesë e mirë e njerëzve që janë në kapmin e udhëhequr nga Berisha janë kundër Bashës, jo se janë domosdoshmërisht njerëz të Berishës. Gjithë pjesa tjetër e dramës do të zhvillohet në këtë lloj atmosfere banale, një betejë për logon e partisë meqë kjo krijon një lloj avantazhi në fletën e zgjedhjeve.

Analisti gjykon se beteja që do zhvillohet në muajt e ardhshëm ka të bëjë me faktin se kush do mund të marrë logon e PD-së. Hasimja tha janë dy zgjidhje të mundshme që janë paralele me njëra-tjetrën.

Hasimja: Zgjidhja e parë është që Gjykata vendos se kush do ta marrë logon pasi është një betejë për logo dhe zgjidhja tjetër është ndarja e partisë, zyrtarizimi i një partie të re nga ana e mbështetësve të zotit Berisha e cila do të pretendonte se do ishte PD, por me një logo të re. Gjithsesi sot nuk ka më 1 PD, janë 2 PD.

Analisti u shpreh se për sa kohë të dyja palët nuk munden ta zgjidhin se cili Kuvend ishte legjitim, ai i 11 apo 18 dhjetorit 2021, i takon Gjykatës të vendosë. Pas kësaj rrjedhin të gjitha vendimet e tjera, sipas tij.

Hasimja: Versioni tjetër është që asnjëra nga palët nuk pret Gjykatën, por do krijojë një parti të re. Kjo nuk është një betejë mes dy palëve që pretendojnë se po përleshen për ide apo për qëndrime. Ka një betejë juridike për pjesën e interpretimit të zbatimit të Statutit. Por nëse një Gjykatë do vendosë një interpretim të caktuar është e pamendueshme që njëra palë ose tjera të refuzojë vendimin e Gjykatës. Është e detyruar ta zbatojë.

Analisti tha se nuk është hera e parë që një parti politike përjeton një krizë të tillë. Sipas tij edhe në PS edhe në Pd ka pasur kriza të tilla. Ajo që ndryshon, sipas tij, është raporti i forcave.

Hasimja: Për herë të parë kemi një pjesë të konsiderueshme të PD që është kundër kryetarit të saj, ndërkohë që në të gjitha rastet ata që kanë sfiduar autoritetin e kryetarit kanë qenë në pozita ionferiore dhe si të tillë i është dashur të shkëputen nga partia. Në rastin konkret duket që zoti Berisha ka goxha mbështetje, mjaftueshmërisht të konsiderueshme për të vënë në vështirësi funksionimin e PD-së. Është ky raporti i forcave që e bën këtë përplasje të ndryshme nga herët e tjera të mëparshme.

Për analistin, detyra e policisë së shteti është që të shmangë dëmtimin e pronës publike, të shmangë rrezikimin e jetës së njerëzve dhe në protestën e 8 janarit presionimi ishte i qartë dhe linte shteg për këto lloj rreziqesh. Prandaj, në situatën e ndodhur, sipas analistit ndërhyrja e policisë së shtetit ishte normale.