Berisha: Basha i dorëzoi SHBA-ve listën e biznesmenëve që pretendon se mbështetën “Foltoren”, kurrë s'kam kërkuar asnjë qindarkë

Lufta mes Bashës dhe Berishës po thellohet  më shumë dita-ditës. Berisha ka hedhur akuza të tjera ndaj Bashës duke e akuzuar se i ka dhënë përfaqësuesit të SHBA për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar një listë me emra biznesmenësh që sipas tij kanë mbështetur Berishën për Foltoren.

Berisha u shpreh se të gjithë emrat që ishin në listë janë thirrur një nga një në ambasadë për të dhënë deklarimet e tyre, ndërsa shtoi se nuk i ka kërkuar asnjë qindarkë të vetme.

“Brenda kryesisë nuk kam pyetur asnjeri pasi kryesia nuk ekziston. Me aleatët kam komunikuar dhe janë në mbështetje të PD dhe të përpjekjes së Rithemelimit të saj. Besoj se në mënyrë transparente i janë ofruar të gjitha shanset por zoti Basha në vend të reflektimit mbi shkelmimin që i bëri statutit, zgjodhi vetëm mashtrimin. Ai iu ka ofruar bashkëpunëtorëve të tij mashtrime nga më monstruozet.

Ai i ofroi një listë me biznesmenë që ndihmojmë foltoren zotit Escobar. Njerëz që kurrë Berisha nuk ka kërkuar jo në Foltore por edhe më përpara asnjë qindarkë të vetme. Ata thirren një nga një në ambasadë për të dhënë llogari siç u thirrën gazetarët që të mos transmetojnë Foltoren. Ata që i besojnë Bashës bëjnë gabim të jashtëzakonshëm”, tha Berisha i ftuar në Abc.